Ish-deputetëve të opozitës joparlamentare nuk do t’u mungojnë privilegjet edhe pas djegies së mandateve. Ish-deputetët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët ‘dogjën’ mandatet në muajin mars të këtij viti, në kuadër të strategjisë politike për të rrëzuar qeverinë ‘Rama 2’ dhe për të ardhur në pushtet, do të paguhen nga buxheti i shtetit deri në mars të vitit 2022, pra deri një vit para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Për tre vite me radhë, që nga muaji i djegies së mandatit deri në 2022, ish-deputetët e PD-LSI do të paguhen me 50 për qind të pagës referuese bruto. Paga mujore bruto e deputetit, sipas raporteve të fundit të shpenzimeve të Kuvendit, është 156,770, që do të thotë se ish-ligjvënësit e opozitës do të marrin çdo muaj, pa punuar, 78 385 lekë ose rreth 650 euro në muaj.
Gjithashtu, menjëherë sapo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zyrtarizuar heqjen e mandatit, ish-deputetët e PD-LSI kanë përfituar dy paga mujore. Konkretisht, secili deputet ka përfituar 313 440 lekë ose rreth 3 mijë USD. Për të gjitha këto përfitime, deputetët e opozitës janë njohur me anë të një shkrese të firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj, disa javë pasi dogjën mandatet. Gjithashtu, ish-deputetët e Partisë Demokratike, por sidomos të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë pranuar dhe përfituar dieta, para për shpenzime për karburant dhe telefon edhe pasi braktisën Kuvendin dhe firmosën dorëzimin e mandatit të deputetit. Përfitimet e bazuara në ligj hedhin poshtë pretendimet e disa përfaqësuesve të PD-LSI se djegia e mandateve ishte edhe një akt sakrifice, për t’u bashkuar me qytetarët si të barabartë.
Baza ligjore
Neni 20 i ligjit për statusin e deputetit, i ndryshuar për herë të fundit në vitin 2013, parashikon që deputeti përfiton të drejtën e pagesës kalimtare dhe të pensionit suplementar sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” me ndryshimet dhe plotësimet e mëvonshme dhe ligjit nr. 8097, datë 21.3.1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit” me plotësimet e mëvonshme. Ndërkaq, ligji për nr. 8097, datë 21.3.1996 për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit, ndan zyrtarët në dy grupe të mëdha, sa i takon nivelit të përfitimeve. Deputetët përfshihen në grupin e parë, pika ‘b’, ku bëjnë pjesë edhe anëtarët e KQZ, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës se Larte, Avokati i Popullit, kreu i ILDKPKI dhe drejtuesit e institucioneve kryesore në vend.
Masa e përfitimit
Neni 7 i ligjit për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit, tek kreu për pagesën kalimtare, parashikon që personave të grupit të parë, që përmenden në shtrojën “b” të pikës 8 të nenit 1, pas largimit nga funksioni, u jepen dy paga mujore të funksionit dhe pas këtyre pagave marrin 50 për qind të pagës referuese bruto, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion. Nga ky parashikon përfitojnë të gjithë ish-deputetët e PD-LSI, të cilët dorëzuan mandatet, me përjashtim të atyre që u bënë deputetë për herë të parë në 2017, të cilët do të paguhen për aq kohë sa ishin deputetë. /Nga Adratik DOÇI/