Pas publikimit natën e kaluar të proces- verbaleve të mbledhjes në selinë e PS-së që i parapriu konstituimit të Këshillit Bashkiak, ka ardhur reagimi nga selia rozë e Shkodrës. Përmes një postimi të shkurtët të Facebook, dokumenti i publikuar fillimisht nga ish- kryeministri Berisha në Facebook, konsiderohet jo i vertetë dhe tërësisht i sajuar.
“Duke marrë shkas nga një publikim i një dokumenti të aluduar si procesverbal i dalë nga mbledhja e dy ditëve më parë në degën e Partisë Socialiste Shkodër, duam të sqarojmë opinionin publik që ky dokument i publikuar në rrjetet sociale është jo i vërtetë dhe tërësisht i sajuar. Partia Socialiste Shkodër distancohet nga të tilla veprime të cilat kanë si qëllim përbaltjen e kësaj force politike.“, thuhet në njoftimin e selisë rozë të Shkodrës në Facebook.
Ndërkohë, butrime të ShkodraWeb bëjnë me dije se nga nata e kaluar dhe deri në këto momente, ka patur mjaft nervozizëm në nivelet e larta drejtuese të PS-së lidhur me këtë publik. Nuk sqarohet nëse lidhet me vertetësinë ose jo të dokumentit, por po kërkohet për personat e mundshëm që mund të kenë publikuar të paktën formatin që përdoret për komunikimin me selinë në Tiranë për mbledhje të tilla. Konfirmohet se është i njëjti format që niset në rrugë lektronike në selinë qendrore në Tiranë. Nga ana tjetër, burime nga selia e PS-së Shkodër bëjnë me dijes e vetëm dy persona kanë akses në këtë mënyrë komunikimi, ndërsa nuk përjashtohet që informacione të ketë “rrjedhë” nga selia qendrore në Tiranë.