Familjarët dhe të afërmit e gjyqtares Fildes Hafizi rrëfejnë jashtë kameras së Report Tv, momentet e fundit të nënës së dy fëmijëve.
Ata thonë se ish-bashkëshorti, Fadil Kasemi e kishte takuar dy herë në 10 ditët e fundit gjyqtaren.
Sipas tyre, fillimisht ai e kishte kërcënuar dhe i kishte kërkuar që ta lejonte të shkonte te shtëpia për të takuar fëmijët. Fildes Hafizi banonte në një apartament me dy prindërit dhe vajzën e djalin e mitur.
Pranë apartamentit të saj ka pllakosur heshtja, ndërsa familjarët kanë çelur dyert e mortit prej pasdites së djeshme.
Familjarët: Ish-burri i tha do pendohesh
Ndërsa para 5 ditësh, rrëfejnë familjarë, ish-bashkëshorti i kishte dalë në rrugën pranë shtëpisë dhe i kishte kërkuar që të ribashkoheshin dhe të jetonin bashkë me fëmijët.
Kur Fildes Hafizi kishte refuzuar ai i kishte thënë: “Do pendohesh për këtë që po bën”.
Ish-bashkëshorti Fadil Kasemi ka pranuar krimin përpara uniformave blu, duke deklaruar se e vrau gjyqtaren pasi nuk e lejonte të takonte fëmijët. Dy vjet më parë ai e kërcënoi atë me armë zjarri në plazhin e Golemit.