11 gra janë në krye të po kaq drejtorive “të shtetit”. Bëhet fjalë për drejtoritë rajonale por edhe ato në nivel të njësive të qeverisjes vendore por që emërohen nga dikasteret qendrore në Tiranë. Në një listë që po qarkullon në rrjet, konstatohet se numri i përgjithshëm i tyre është 41. E thënë ndryshe, janë 41 “vende pëllumbash” që presin drejtuesit e rinj, pas dorëheqjeve të imponuara të ekzistuesve nga kryeministri Rama. Ndërsa pa u mbushur 24 orë nga takimi me kreun e qeverisë në Tiranë, procesi i dorëheqjeve nuk po ndjehet.
Deri tani janë 9 drejtorë që kanë paraqitur dorëheqjet ndërsa prej disa syresh, thuhet se nuk u është pranuar dorëheqja. Ndoshta procesi i dorëheqjeve të tjera është më pak mediatik sepse është vështirë të besohet se ndonjë drejtor ka refuzuar “orientimin” e kryeministrit. Ndërsa është paralajmëruar zëvendësimi i drejtorëve- meshkuj me drejtore- femra, fati i 11 grave aktualisht në detyrë, nuk dihet. Por përtej udhëzimeve të kryeministrit, me shumë mundësi jo të gjitha postet do të mbulohen nga gra. Maksimumi (edhe kjo shumë vështirë të ndodhë), mund të përmbyset raporti: nga 41 drejtorë, 11 mund të ngelen burra, pjesa tjetër gra! Nuk ka dyshim se edhe gjithë kjo “zallamahi” është një gjetje interesante PR- i për të spostuar vëmendjen nga problemi real që ka PS në Shkodër pas 30 qershorit. Gjithsesi, qëllimi i PR- it po arrihet… /ShkodraWeb/