Kreu i shtetit Ilir Meta ka dalë me një reagim, postuar në rrjetet sociale pasi sot është mbledhur dhe po zhvillon ndërkohë punimet Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e tij, propozuar nga mazhoranca qeverisëse.
“Spostimi i vëmendjes për momentin nga detyrimi për respektimin e dekretit në fuqi të 13 tetorit për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës, por ndihmon përshkallëzimin e saj”, shkruan nder te tjera Presidenti.
REAGIMI I PLOTE I KREUT TE SHTETIT ILIR META
Propaganda anti-President nuk ndihmon sundimin e ligjit që është kusht për çeljen e negociatave në 18 tetor nga Bashkimi Europian për vendin tonë. Spostimi i vëmendjes për momentin nga detyrimi për respektimin e dekretit në fuqi të 13 tetorit për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës, por ndihmon përshkallëzimin e saj. Kriteret e Kopenhagenit nuk janë shfuqizuar ende nga BE, ndaj respektimi i tyre është i pashmangshëm nëse ka mbetur sadopak vullnet politik për çeljen e negociatave ne 18 tetor. Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje!