Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi nga ish- burri Fadil Kasemi eshte filmuar edhe kamerat e zones ku u konsumua krimi. Nga pamjet e kamerave të sigurisë, duket viktima që del nga floktorja dhe hipën në makinë. Ajo ishte duke vendosur rripin e sigurimit, ndërkohë që xhami i dritares së shoferit ishte gjysmë i hapur.
Autori, i cili gjendej rreth 10 metra nga pjesa e pasme e makinës, afrohet me shpejtësi dhe e qëllon menjëherë viktimën. Dëshmitarët dhe pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë qartë se mes gjyqtares dhe ish-bashkëshortit të saj nuk ka pasur kurrfarë komunikimi apo debati.
“Nga pamjet filmike duket se autori i dyshuar qëllon dy herë dhe duket se nuk kanë pasur asnjë komunikim. Pra, goditjet janë bërë menjëherë”, tha dje një burim nga hetimi.
Sipas tij, goditjen e parë autori i ngjarjes e ka qëlluar nga një largësi rreth 20 centimetra, ndërsa të dytën më afër. Ky mozaik i ngjarjes është formësuar nga këqyrja e kamerave të sigurisë, marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe kombinimi i këtyre të dyjave me provat e fiksuara në vendin e krimit.
Bazuar në të gjitha këto elemente, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, vrasja e gjyqtares 39- vjeçare Fildes Hafizi ka qenë e paramenduar dhe e planifikuar në detaje nga ishbashkëshorti i viktimës. Prokuroria përjashton të paktën për momentin mundësinë e vrasjes për shkak të ndonjë sherri apo debati të momentit. /panorama/