Ambasada e SHBE në Tiranë ka reaguar pas vendimit të djeshëm të gjykatës për ish- ministrin e brendshëm Saimir Tahiri. Në një postim në rrjete sociale, në shënimin e Ambasadës, thuhet:
“Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta. Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat. Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë.“, përfundon postimi i Ambasadës së SHBA-së lidhur me vendimin e gjykatës për Saimir Tahirin.