Në vitin 2017, në fundit e gushtit, nisi artikulimi publik i projektit që sot, përmes një ligji, po përpiqet të ndajë Shqipërinë në “4 zona zhvillimi ekonomik” apo “vilajete” siç po anatemohen. Bazuar në ato pak informacione që ishin në qarkullim para tre viteve, dhashë një opinion në lidhje me “kantonizimin” apo “federalizmin” që nëse zbatohet siç duhet, mund të ketë përfitime për zhvillimin ekonomik dhe vetë qytetarët.
Miratimi i një ligji, i cili nuk është paraprirë nga ndryshime thelbësore në Kushtetutë, natyrisht pas një konsultimi të gjërë me të gjithë faktorët, e bën këtë nismë gjysmake dhe aspak në shërbim të zhvillimit ekonomik siç pretendohet. Fakti që u nis para tre viteve si ide dhe po materializohet e cunguar në prag të zgjedhjeve politike në vend, tregojnë se synimi i vertetë nuk është zhvillimi ekonomik i katër “vilajeteve”. Aq më shumë, kur edhe kjo nismë, është e njëanshme, pa përfshirjen e Opozitës së Bashkuar, të paktën në diskutim.
Nxitimi, tanimë karakteristikë e kësaj qeverisje qendrore, bashkuar me teorinë e “faktit të kryer”, tregojnë mungesë kthejlltësie e vizioni, mungesë transparence së paku me qytetarët, ata që do të duhet të jenë objekte/subjekte të kësaj nisme. Pa decentralizim kushtetues të pushtetit e kompetencave, pa ndarje reale të vendit në rajone (së paku nën shembullin e Italisë), vështirë që kjo nismë të shkojë në favor të zhvillimit ekonomik e aq më pak, të qytetarëve. Më poshtë mund të lexoni një opinion të publikuar me 27 gusht 2017.
Termi “kantonizim” apo “federalizëm” nuk është i ri dhe i panjohur edhe në realitetin shqiptar. Prej vitesh po diskutohet zyrtarisht dhe jo zyrtarisht. Madje, në Shkodër diku para rreth 11-12 viteve, u thirr edhe një tryezë nga qeveria e asaj kohe ku u diskutua për minimizimin e numrit të qarqeve nga 12 që janë aktualisht, në 5 ose 6 të tilla. Natyrisht, nuk u përmend “kantonizim” sepse termi mund të tingëllojë keq për një vend që ka rezidentë të përhershëm më pak se 3 milion banorë. Të mirat e “kantonizimit” lidhen edhe me Bashkimin Europian, sidomos në momentin kur të jemi zyrtarisht kandidat për në BE. Rajonet apo Qarqet, mund të aplikojnë për fonde direkt në BE, por ka një kusht që lidhet me numrin e qytetarëve që duhet të jenë pjesë e tij e nëse nuk më gënjen kujtesa, duhet të jetë diku rreth 800 mijë. Në kushtet aktuale, vetëm Qarku Tirane e arrin dhe tejkalon këtë numër.
Jo direkt si “kantonizim”, ideja u hodh edhe nga PS ne Asamblenë e 27 gushtit, kur u diskutua për ndarjen virtuale të vendit në 4 rajone të mëdha. Ideja u zbërthye si nevojë e shkurtimit e numrit të agjensive dhe numrit të punonjesve të tyre në mbarë Shqipërinë dhe që sipas zëvendëskryeministrit Peleshi ishin rreth 500 të tilla. Nuk është e vështirë të zbërthehet ideja e mësiperme dhe nëse do të bëjnë një “zgjidhje mekanike”, qarku Shkodër, Lezhë dhe Kukës, do të kenë vetëm një drejtori arsimore, drejtori shëndeti publik, drejtori sherbimesh e kështu me rradhë. Mirëpo, në këtë skemë të zbatuar nga Qeveria qendrore në territor, shoh më shumë probleme se risi pozitive. E para dhe më kryesorja sipas meje, lidhet me mundësinë e kontaktit të qytetareve me këto agjensi apo drejtori. Nëse do të përqendrohen të gjitha në një qark aktual, p.sh. Shkodër, i bie që qytetarët e Lezhës e Kukësit të marrin rrugën për çdo nevojë. Nëse do të shpërndahen në qarqe të ndryshme, mishmashi bëhet edhe më i madh.
Sipas gjasave, në pamundësi të numrave në Kuvend për ndryshimin e Kushtetutës duke zvogluar numrin e qarqeve, Rama ka zgjedhur një rrugë tjetër, më të shkurtër për të realizuar idenë e mbështetur dikur nga miku i tij Spartak Ngjela, por edhe nga vetë ai. Do të përqendrojë në vetëm 4 zona ndarjen e “pushtetit” që buron nga dikasteret në territor. Pa më të voglin dyshim, do të krijohen probleme, mbivendosje e pse jo edhe përplasje, me Qarqet aktuale dhe drejtoritë rajonale në varësi të tyre. Personalisht, në stadin aktual qarqet janë një ngarkesë e kotë edhe financiare për qytetarët. Por nëse do të ecet me guxim drejt “kantonizimit”, pesha e tyre në sherbim të qytetareve do të rritej ndjeshem.
Skemat janë të shumta, por më e pranueshmja është ajo e decentralizimit total. Nëse Rama ka menduar ndarjen e Shqipërisë në 4 zona, ato shumë mirë me një ndryshim në Kushtetutë, mund të jenë qarqet e reja. Teorikisht, secili prej tyre mund ti afrohet 800 mijë banorëve dhe mund të emërtohen Rajoni i Veriut, Rajoni i Shqipërisë së Mesme, Rajoni i Tiranës dhe Rajoni i Jugut. Por rregulli numër një i zhvillimit në kapitalizëm, është decentralizimi i pushtetit, kalimi i kompetencave tek Rajonet apo Qarqet, kjo edhe në kuadër të Autonomisë Lokale sipas orientimeve të Këshillit të Europës. Duhet të jenë qytetarët ata që do të votojnë e do të zgjedhin presidentin apo kryetarin e Qarkut, parlamentin apo këshillin e Qarkut dhe natyrisht, të gjithë këta duhet të kenë të gjitha kompetencat në territor, me përjashtim të politikes së jashtme, mbrojtjes dhe Policisë së Shtetit- normalisht duke patur në kompetencë një xhandarmëri. Rajonet apo Qarqet e reja duhet të kenë dorë të lirë në administrimin e resurseve të tyre, duke nisur edhe nga veprat në territor të para apo pas vitit 1990. Kështu, shumë mirë qarqet mund të ndertojnë edhe marrëdhënie kontraktuale në mes tyre në kuptimin e bashkërendimit të shfrytezimit të resurseve që i ka njeri dhe nuk i ka tjetri e anasjelltas.
A ka gjasa të realizohet një projekt i tillë? Sipas meje, asnjë pushtet qendror nuk ka dëshire të japë pushtet drejt një të ngjashmi tjetër, në këte rast, ai vendor. Fakti që diskutimet për një “kantonizim” apo “rajonalizim” të ri të Shqiperisë kanë nisur e janë ndërprerë, ecën në linjën e asaj çfarë thashë më sipër. Shpresa e vetme mbase mund të jetë, një presion nga BE në kuadër të përafrimit të pashmangshëm të vendit tonë me Europën e Bashkuar. Deri atëherë, çdo projekt, edhe ky i propozuar dhe që mbase mund të zbatohet pa u diskutuar në të gjitha nivelet e duhura, do të jetë thjeshtë një projekt gjysmak apo eksperimenti shqiptar i rradhës… /Nga Blerti DELIJA/