Albin Kurti është shqiptari i momentit! Fitorja e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare në Kosovë, me një deputet më shumë se LDK-ja, i ka dhënë liderit të Vetevendosje! një imazh tjetër. Në Shqipëri janë harruar kritikat që i bëheshin kur ai, duke përdorur tymuese dhe lotuese në sallën e Kuvendit të Kosovës, pamundësonte zhvillimin normal të punimeve. Ndryshimi në qasjen e Tiranës zyrtare por edhe asaj që mund të quhet Tirana zyrtare e të nesermes, është i dukshëm.
Albin Kurti ka zhvilluar e po zhvillon takime me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Ilir Meta, Gramoz Ruçi, Edi Rama janë tre kryesorët e piramidës që kanë nxituar të publikojnë foto e komente me Albin Kurtin në krah. Po ashtu edhe ish- kryeministri Berisha. Edhe kreu i PD-së Berisha. Kurti nuk ka munguar të pijë një gotë verë me disa gazetarë të njohur të mediave të Shqipërisë. Nga ana tjetër, prej disa kohësh Vetëvendosje! ka edhe një degë të vetën në Tiranë, e cila nuk është çudi që nga fondacion, shoqatë apo grupim që prezantohet sot, të kthehet në forcë politike. Ngjitja e pritshme në krye të qeverisë së Kosovës, ia lehtëson këtë lëvizje të re.
Përllogaritjet aktuale të numrave në Kosovë tregojnë qartë që me 29 deputetë, Kurti nuk mund të ndërtojë i vetëm një qeveri. Edhe me 28 deputetët e LDK-së që ka paralajmëruar marrëveshje qeverisës, janë akoma larg 61 deputetëve që duhet të mbështesin një qeveri me Kurtin në krye. Lista Srpska ka krijuar idenë se nuk është shumë e interesuar të bëhet pjesë e qeverisë, edhe pse Kushtetuta aktuale, i jep në tavolinë një numër të konsiderueshëm deputetësh kësaj pakice në Kosovë. Po ashtu, Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre e LDK-së, edhe pse ka pranuar nisjen e bisedimeve me Kurtin, nuk e ka konsideruar apriori fakt të kryer bashkëqeverisjen. Ka mjaft gjëra që duhen diskutuar e shoshitur mes palëve, nga ato teknike të krijimit tëqeverisë, tek parimoret. Natyrisht, edhe një marrëveshje për presidentin e Kosovës, pasi të përfundojë mandati i Hashim Thaçit.
Turi i Albin Kurtit nuk është thjeshtë ai i një kandidati për kryeministër i Kosovës. Ai është i mirënjohur për bindjen e tij për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, më thjeshtë të Kosovës me Shqipërinë në formën e një federate apo edhe të shkrirjes në një shtet të vetëm.
Sot takimet e Kurtit në Tiranë nuk janë ato të një kandidati- kryeministër të Kosovës. Pavarësisht divergjencave të momentit në mes liderëve respektivë, asnjëherë nuk është vënë në dyshim komunikimi deri në bashkërendim e bashkëveprim edhe ndërkombëtar në mes Kosovës e Shqipërisë. Marrëdhëniet Shqipëri- Kosovë, siç është mëse e natyrshme, asnjëherë nuk kanë patur luhatje që një kandidat- kryeministër ti përmirësojë në prag të marrjes së detyrës.
Politikat e Albin Kurtit në krye të Vetëvendosje! kanë qenë përherë populiste, madje duke prekur ndjeshmëritë e shqiptarëve këtej e andej kufirit ndërshtetëror. Edhe turi i fundit, takimet e realizuara dhe që do të realizojë, shkojnë në të njëjtën linjë. Sot Albin Kurti, me skeptrin e kryeministrit në ardhje të Kosovës në dorën e tij, ka mundësi të kalojë kufijtë e shkelur më herët si lider i Vetëvendosje! Kurti ka mundësinë të prezantohet jo vetëm para shqiptarëve të Kosovës, Shqipërisë por edhe Malit të Zi e Maqedonisë si lider. Nuk është e qartë sa do të vonojë procesi i formimit të qeverisë së re të Kosovës, por nuk do të ishte çudi që takimet e Kurtit nga Shqipëria të vijonin në Maqedoni e Mal të Zi, edhe pa qenë zyrtarisht kryeministër.
Nëse nuk ka ndonjë surprizë, Albin Kurti do të jetë kryeministër i Kosovës. Por edhe nëse nuk ka surpriza, turi që po zhvillon në Shqipëri, do ti japë fryte dhe janë investim mjaft me vlerë. Pa dashur, ka nisur një dualitet në mes Kurtit e Ramës për hapësirën shqiptare në Ballkan… Natyrisht, Albini është “ylli” i ri në ngjitje ndërsa Rama… /Shënim i ShkodraWeb/