Flokët u bien të gjithëve. Qimet këputen dhe bien pas dushit, gjatë tharjes dhe krehjes. Me përafërsi njeriu humbet 50 deri në 100 flokë në ditë. Ky mund të jetë një cikël normal i gjallërimit të flokut. Megjithatë, në shumë raste numri i flokëve të rëna është aq i madh sa natyrshëm lind shqetësimi se mos vallë do të ngeleni shpejt pa asnjë flok mbi kokë.
Nëse rënia e flokut nuk shkaktohet nga një problem shëndetësor, atëherë problemi qëndron tek rutina e përditshme. Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për gjërat e përditshme që bëni, të cilat mund të shkaktojnë rënie të flokëve.
Krehja e flokëve të lagur
Krehja e flokëve kur janë të lagur i këput dhe i shkul ato. Ekspertët thonë se flokët e lagur janë shumë të brishtë dhe krehja duhet bërë kur floku të jetë i thatë.
Stresi
Stresi mund të shkaktojë ndryshime hormonale. Studimet të cilave u referohet AgroWeb.org, tregojnë se ndryshimet hormonale lënë shumë pasoja tek floku dhe përshpejtojnë rënien e tij. Mundohuni të menaxhoni stresin.
Kapjet e sforcuara të flokut
Nëse i mbani flokët të kapur, atëherë jeni më të prirur të prekeni nga rënia e flokëve. Kapjet e sforcuara e shkulin flokun nga rrënja dhe ju bëjnë të humbisni shumë flokë.
Përdorimi i tepruar i tharëses
Përdorimi i tepruar i tharëses, piastrës dhe mashës i përcëllon flokët dhe shteron vajrat natyrale të tyre. Një gjë e tillë e bën flokun pa jetë dhe nxit rënien e tij.
Ndryshimi i shampove
Ndryshimi i shpeshtë i shampove dhe produkteve të tjera për flokët nuk i jep kohë skalpit të kokës të përshtatet me këto produkte dhe substancat e tyre. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj kimikateve të ndryshme prish pehashin e flokut dhe shkakton rënie të flokëve.
Shkaqe shëndetësore të rënies së flokëve
Flokët mund të bien edhe për arsye shëndetësore të ndryshme. Shtatzania, ndërhyrjet kirurgjikale, rëniet drastike në peshë dhe stresi kronik lënë pasoja direkt tek flokët. Rënia e flokëve mund të jetë efekt anësor i ilaçeve kundër depresionit. Rënia e flokut mund të jetë e trashëgueshme, por edhe të shkaktohet nga problemet me tiroiden.
Anemia si pasojë e mungesës së hekurit mund të shkaktojë gjithashtu rënie të flokut. Kjo zgjidhet duke ngrënë ushqime të pasura me hekur siç janë spinaqi, barishtet, mishi i viçit dhe fasulet. Të domosdoshëm janë edhe ushqimet e pasura me vitaminë C, të cilat përmirësojnë përthithjen e hekurit.
Ndryshimi i shpeshtë i ngjyrës së flokut nëpërmjet substancave kimike e shkatërron atë. Për më tepër, krehja e flokut pas lyerjes me xhel ose llak e forcon qimen dhe lehtëson këputjen e saj.
Floku nuk është i rëndësishëm vetëm për paraqitjen tuaj të jashtme. Ai është një tregues i rëndësishëm i shëndetit tuaj.