Ish-ministri i Financave dhe ish-anëtari i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj në përballjen publike nga parlamenti shprehi keqardhje për votimin në rresht nga deputetët në Komisionin Hetimor.
Por nga ana tjetër Malaj deklaroi se i mirëkuptonte ata pasi kryeministri Edi Rama është kthyer në një njeri të frikshëm për ata dhe vetë familjet e tyre, ndërsa theksoi se sapo të krijohet Gjykata Kushtetuese do ta ballafaqoj atje këtë çështje.
“Sot Rilindja po bën një gjyq politik. Nuk është hera e parë që më kërkojnë të më shkarkojnë. Në 1997 Berisha i kërkoi shkarkimin tim Finos, por kërkesa e tij ra. Kjo është hera e tretë që kërkohet shkarkimi im, por e përsëris me zë të lartë: Kam kryer më së miri detyrën time si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të bankës së Shqipërisë, pa cënuar në asnjë rast detyrimet etike dhe ligjore.
Kam mbështetur politikën moetare lehtësuese për rritjen ekonomike, kam kërkuar disa herë draftin e ligjit të Bankës së Shqipërisë për të forcuar kolonat e saj strukturore. BE në vitin 2019 e vlerëson këtë detyrë të paplotësuar.
Kam kërkuar në bord që të demokratizohet qeverisja e Bankës së Shqipërisë, ajo është një ent public, paguhet nga taksapaguesit shqiptarë dhe duhet të zbatojë parimet më të mira të qeverisjes. Bankat qendrore dhe ato tregtarë nuk janë më kurrë skuta të errëta.
Kam votuar pro ose kundër vetëm me vetëdijen time thellësisht profesionale. Bankat private kanë interesa private dhe thelbi i tyre është fitimi.
Në komision ndjeva trishtim për votimin rresht të deputetëve, po i mirëkuptova sepse Edi Rama është bërë i frikshëm jo vetëm për ta, por edhe për familjet e tyre dhe fatkeqsisht edhe për popullin shqiptar.
Ndjej trishtim për vendin tim që shkarkimin që nuk e arrtiti dot PD në ’92 apo ’97 do ta bëjë sot kryetari i Rilindjes. Hakmarrjet primitive nuk më trembin, por më vret në shpirt trendi jo pozitiv që kanë marrë zhvillimet politike në vendin tonë.
Keni goditur shpesh pas shpine shoku Rama, por asnjëherë nuk ke dalë moralisht i fituar. I kam fituar përherë sifdat me ju. Dështimi juaj vjen nga rruga dhe nga aleatët që i përzgjodhët vetë. Ne që në fillim përzgjodhëm dy rrugë qartësisht të ndryshme.
Sapo të krijohet Gjykata Kushtetuese do ta ballafaqoj këtë çështje atje”, tha Malaj.