Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka miratuar sot Paketën Fiskale për vitin 2020, sipas projektit të paraqitur nga administrata Ademi por edhe me disa propozime nga grupet e interesit dhe këshilltarë. Në hapje të mbledhjes kryebashkiakja Voltana Ademi, duke iu drejtuar banorëve të Bashkisë Shkodër, i ka njohur me parimet kryesore mbi të cilat është bazuar hartimi i Paketës Fiskale. Në fund, Këshilli Bashkiak ka miratuar unianimisht këtë dokument të rëndësishëm për Bashkinë e Shkodrës.
Pjesë e diskutimeve, ishin edhe disa ndryshime në vendimin e KB nr.1 të vitit 2016 për nivelin e gjobave për ndotjen e mjedisit dhe hapësirat publike. Për zhurmat, niveli i gjobave nga 3 mijë do të kalojë në 15 mijë lekë ndërsa për ndotje akustike të lartë, gjoba rritet nga 10 mijë në 20 mijë lekë. Në fund, këshilltarët kanë pyetur e diskutuar për çeshtje jashtë rendit të ditës.
Duke iu përgjigjur interesit të mediave, në fund ka dhënë një intervistë kryebashkiakja Ademi, e cila ka zbuluar edhe përmbajtjen e një letre të dërguar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale e Rajonale, në përgjigje të shqetësimit të ngritur nga kryetarja e Bashkisë Shkodër për pushtetin vendor pas 30 qershorit.