Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev janë në Tiranë në kuadër të Samitit të tretë të Shengenit Ballkanik i cili do të jetë dy ditë, në kryeqytet dhe Durrës.
Menjëherë Vuçiç dhe Zaev janë pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kanë zhvilluar takimin informal në ambientet e hotel ‘Rogner’. Pas Novisadit në Serbi dhe Ohrit në Maqedoni, tashmë i takon Shqipërisë dhe Ramës të jenë pritës të takimit për Samitin trepalësh.
Ndërkohë Kosova refuzoi të marrë pjesë sërish. Ramush Haradinajt nuk i shkoi asnjë ftesë ndërkohë Presidenti Hashim Thaçi e refuzoi atë. Lëvizja Vetëvendosje jashtë vendit të takimit informal mes tre liderëve ka pritur me protesta Presidentin serb Vuçiç duke e quajtur ‘kr.iminel lufte’
Raportohet se Vuçiç, Zaev dhe Rama pas takimit informal do të marrin pjesë në eventin e bamirësisë ‘Ti nuk do të jesh kurrë vetëm’, për mbledhjen e fondeve për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.
Nesër ata do të inspektojnë zonat e prekura nga tërmeti në Durrës dhe më pas do të zhvillohet Samiti i tretë i cili fillon në orën 10:00 të paradites.
Në orën 12:00 të ditës së nesërme do të ketë takim mes delegacioneve ndërsa pjesë e Samitit do të jetë dhe Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç i cili vjen nesër në mëngjes. Në orën 13:15 do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp për të shpalosur konkluzionet.