Është zbardhur sot vendimi i Gjykatës së Tiranës që dënon ish- deputetin demokrat Ervin Salianji me 1 vit burg për veprën penale të kallëzimit të rremë. Në vendim thuhet se Salianji “u përfshi në kallëzim të rremë për interesa politike të tij dhe të PD-së”.
Albert Veliu i njohur si Babalja u akomodua në selinë e PD ku ka dhënë dhe intervista. Biseda e simuluar mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit është regjistruar në janar 2018 në një mjet përgjimi stilolaps të cilin Albert Veliu ia ka dorëzuar Ervin Salianjit. Sipas gjykatës stilolapsin përgjues ia ka dhënë Salianji.
“Fredi Alizoti simuloi zërin e Agron, Geron Xhafës. Mes të pandehurve Veliu, Alizoti, Salianji, Jetmir Olldashi ka komunikime të shpeshta para e pas veprës penale. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër komunikimet e tyre të shpeshta veç përfshirjes në audiopërgjim”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Vendimi mbyllet duke argumentuar se nga te gjitha provat dhe tabulatet telefonike rezulton se zërin e Agron Xhafës e ka bërë Fredi Alizoti.
“Kjo veprimtari e kallëzimit të rremë nuk mund të konsiderohet e kryer brenda fushës së ushtrimit të funksionit politik të deputetit apo ushtrimit të lirisë së shprehjes.”
Gjykata e Tiranës dënoi 4 të pandehurit e dosjes “Babale”, mes tyre dhe ish-deputetin Ervin Salianji, ndaj të cilit u vendos 1 vit heqje lirie. Për Albert Veliun u vendos 3 vite e 4 muaj burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj burg, dënim i cili do të zëvendësohet me 100 orë pune.
Më 18 dhjetor 2019 ish- deputeti Salianji e ka apeluar vendimin.