Është dhjetor. Lata e druve sapo na erdhi, e babi është mërzitur se nuk sollën dy, por një, e ku na del një latë në muaj? I përveshim mëngët. Me krahët e mi të veckël nuk mund të mbaj shumë dru, por shyqyr që jemi në katin e dytë. Drutë i rrasim në korridor dhe e di çfarë pune e pret mamin pastaj për pastrim. Trishtimi më shtohet. Kur shoh se vajguri ka mbaruar, më hipën ankthi.
Dyqani i vajgurit që ndodhet në anë të shkollës, është i vogël dhe tepër pis. Radhën duhet ta mbaj unë duke shpresuar se vëllai do vijë në kohë që ta mbajmë të dy bidonin 10 litërsh. Unë vetëm nuk mundem. Nuk guxoj të vë gurë në radhë, se kur gurët i vënë fëmijët, gjithnjë i heqin të rriturit. Duhet të rri aty gjithë kohën. Për ndryshim nga radha e ushqimeve, ku kam zënë nja dy shoqe, e luajmë me peta, këtu nuk ka vend. Trotuari është aq i ngushtë sa më zë vetëm mua dhe bidonin.
Në rrugë nuk na e mban të luajmë, se kalojnë makinat. Vërtetë ka pak makina, por pikërisht për këtë arsye, është më frikë. Ato ecin me shpejtësi e nuk ke kohë të tërhiqesh në trotuar. Nuk e harroj atë vajzën që e shtypi autobuzi mu pranë stacionit. Deri trutë i ishin përhapur nëpër rrugë. Unë nuk e pashë, por komshitë e mi po. Nuk fjeta tre muaj. Para syve më dilte vetëm imazhi i saj, copash nëpër rrugë, edhe pse nuk e pashë vetë. Rri vajzë këtu e prit radhën… uh vëllai nuk po duket, e këta po thonë se nuk paska mbetur shumë vajgur. Jam pak larg, kam edhe 15 gra, e ppo aq burra, para meje. Kalon një orë. Atë e kaloj duke ëndërruar plazhin, kalova kaq bukur sivjet, e para herë që arritëm të marrim një kabinë në Golem. Por mami u mërzit shumë shumë. Banjat ishin për ibret e pis qamet. Për të larë rrobat e peshqirët na duhej të ndiznim ashklat e pishave. Shyqyr që drekën e bënte nona në Kavajë e na e sillnin çunat…
Më në fund jam e dyta. Shitësja jep lajmin, vajguri mbaroi. E dija se nuk duhet të isha marrë me drutë. Si do bëjmë tani? Ishalla ka vajgur teta Filja… Kthehem në shtëpi. Drutë po stivohen në depon e tyre në banjë. Shpresë me marrë vajgur nesër nuk ka, pasi kam 6 orë në shkollë. Por babi të hënën është i dyti dhe besoj se do arrijë. Shyqyr. Te radha e mishit mami nuk më lë mua, se ma hedh shitësja e më jep mishin më të keq. Ajo është mbretëresha e kombinatit. Mishin më të mirë e ruan ajo. Ca thonë se e shet, ca thonë se e lë për këmbim për ndere. Të gjithë i përulen asaj. Duhet mik i fortë për t’u bërë shitëse mishi, edhe më i fortë se për t’u bërë antar i Komitetit Ekzekutiv. Po ç’më duhet mua, unë duhet të shoh shkollën, ndryshe, Kombinati me tre turne më pret që 14 vjeç. Unë jam vetëm 10 vjeç e kam kohë të mendoj për gjimnazin, por prindërit janë në merak. Megjithatë, ja po afron Viti i Ri, më në fund do hamë gjëra të mira. Shpresoj se festivali do ketë këngë të bukura sivjet. /Nga Armanda KOKO/