Lirohet nga burgu i Podgoricës, Irfan Domnori. Qytetari nga Shkodra i njohur për pjesëmarrjen e tij në maratonat dhe garat e vrapimit në të gjitha trojet shqiptare, i veshur me plis dhe kostumin kombëtar u prangos me 27 Dhjetor nga policia malazeze.
Në fillim të muajit nëntor, ai mori pjesë në festën e gështenjave në trevën shqipfolëse të Krajës në Mal të Zi ku festoi me flamurin kuqezi dhe për këtë arsye ai u shoqërua nga policia vendase dhe u dënua me 1 muaj ekspuls në shtetin fqinj dhe me 300 euro gjobë.
Pasi përfundoi dënimin, Domnori u nis drejt Malit të Zi për të marrë pjesë në një ekspozitë të një piktori shqiptar por u arrestua dhe u dënua me 10 ditë burg në Podgoricë . Arrestimi i tij solli mjaft reagime pasi familjaret e kishin shpallur të zhdukur dhe nuk ishin njoftuar për ndalimin e tij.
Domnori, 4 vite më parë u cilësua nga mediat serbe si “Ter.roristi Shqiptar i maleve” për shkak se merrte pjesë edhe në ngjitjen e maleve përkrah grupeve alpiniste por gjithmonë me veshjen kombëtare dhe flamurin kuqezi.