Kaos për pasagjerët e kompanisë së fluturimeve Ernest prej disa ditësh. Denoncime të ndryshme kanë mbërritur në adresë të mediave nga qytetarë të shumtë që kanë prenotuar biletën e udhëtimit me kompaninë Ernest por kanë mbetur në sallat e pritjeve të aeroporteve shqiptare e italiane.
Nëpërmjet një deklarate për në ditët e fundit të dhjetorit Autoriteti Italian i Aviacionit Civil (ENAC), ka nxjerrë një akt pezullimi të licencës së kompanisë ajrore “Ernest”. Pezullimi do të hyjë në fuqi më 13 Janar 2020, me qëllim e vetëm që t’i jap kohë kompanisë për të informuar pasagjerët për anulimin e fluturimeve apo për t’i mbrojtur ata që e kanë prerë një biletë udhëtimi.
Por ndërkohë pavarësisht datës së vendosur, fluturimet janë anuluar si për nisjet nga Rinasi ashtu dhe për nisjet nga Italia apo drejt shteteve të tjera ku vepron kjo kompani. Qytetarë shqiptarë kanë qëndruar dje për orë të tëra në aeroportin e Rinasit pa marrë përgjigje për lëvizjen e tyre drejt Italisë.
Sot në Bergamo është dashur ndërhyrja e karabinierëve. Të revoltuar për shkak të pritjeve prej ditës së djeshme, qytetarët kanë nisur të debatojnë e kërkojnë llogari tek autoritetet e aeroportit italian por pa marrë asnjë zgjidhje.
Ka nderhyrë policia italiane dhe karabinieria pasi është bërë protestë nga udhëtarët. Ndërkohë që vijojnë anulimet e udhëtimeve, biletat për lëvizjet me këtë kompani vazhdojnë të prenotohen.