Banorë të fshatit Rasek në Postribë të Shkodrës kanë protestuar sot sërish lidhur me aktivitetin e një guroreje në territor. Sipas tyre, ky aktivitet po i shkakton probleme pasi ka dëmtuar kanalin vaditës por edhe kullotat. Banorët, kërkojnë ndërhyrjen e instancave të larta shtetërore në Tiranë, të cilat kanë dhënë edhe licencën përkatëse.
Në fakt, nuk është protesta e parë e këtyre banorëve. Pa nisur aktivitetin kjo gurore, në momentin kur ka marrë licencën nga Ministria e Infrastrukturës e qeverisë Rama, banorët kanë patur rezerva. Madje, në qershor 2018 ata kanë dorëzuar edhe një peticion me 120 firma deri në qeverinë Rama dhe tek presidenti Meta.
MUND TË LEXONI EDHE: Protesta “e çuditshme” në Postribë të Shkodrës: I njëjti pronar, por banorët janë kundër gurores me nënkontraktim
Po si qëndron e verteta e këtij bisnesi, që askush nuk guxon ti përmendë emrat? Qeveria Rama, përmes Ministrisë së Infrastrukturës, i ka dhënë licencë për nxjerrje inertesh (gurore) kompanisë “Babasi COO” me pronar ish- deputetin e PD-së Ndriçim Babasi.
Pronari Babasi, njërën prej siperfaqeve që përfshihen në licencë, ia ka dhënë me nënkontraktim një bisnesmeni tjetër, i identififkuar si Aleksandër Shytani. Historia që nisi me protesta në qershor 2018, është rikthyer sërish sot dhe sipas gjasave do të vazhdojë. Të hënën është paralajmëruar se do të jetë në Postribë një grup nga ministria dhe ekologjisti i njohur Sazan Guri.