Viti 2019-të po mbyllet si një nga më të vështirët sa i takon situatës së mbledhjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Ndonëse ministria e financave ende nuk ka publikuar treguesit fiskalë të konsoliduar për 12 mujorin të dhënat e siguruara nga News24 tregojnë se edhe të ardhurat e realizuara nga doganat për 2 muajt e fundit të vitit që sapo u mbyll kanë shënuar një rënie drastike me 3.6 miliardë lekë më pak se plani duke shënuar performancën më të ulët të 10 viteve te fundit.
Sipas të dhënave zyrtare në muajin Nëntor u realizua vetëm 87% e planit ose thënë ndryshe nga 15.200 milionë lekë të parashikuara u mblodhën vetëm 13.221 milionë lekë.
Ndërkohë burime për News24 bëjnë të ditur se edhe në muajin Dhjetor doganat nuk kanë arritur të realizojnë objektivat. Nga 16,681 milionë lekë që priteshin të realizoheshin në muajin e fundit të vitit u arrit të mblidhen vetëm 14.840 milionë lekë. Po të njëjtat burime bëjnë të ditur për News24 se gjatë kësaj periudhe sipas shifrave ka një rënie të konsumit përkatësisht 1000 ton më pak kafe, 80 ton më pak karburant si dhe 30 ton cigare me pak.
Atëherë lind pyetja se si shpjegohet që gjatë periudhës Nëntor-Dhjetor që përkon edhe me festat shqiptarët kanë ulur konsumin e kafesë, karburantit dhe cigareve? Gjithashtu sipas burimeve, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që është një nga treguesit direkt të konsumit në ekonomi ka shënuar një rënie në 500 milionë lekë i pasuar edhe me një rënie nga akciza rreth 1 miliardë lekë. Çfarë po ndodh me doganat shqiptare? A ka lidhje kjo performancë e dobët me keqmenaxhimin apo lidhet me faktorë të tjerë sikurse mund të jetë edhe kontrabanda?