Një 21-vjeçar ka mundur të arratiset në mënyrë spektakolare nga Komisariati i Policisë në Pukë. Emirjon Nikja, i arrestuar me akuzën e grabitjes, ndërsa priste për t’u transferuar për në Shkodër, ka arritur të dalë nga dritarja e një dhome në katin e dytë të komisariatit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, gjatë kohës që po përgatitej dokumentacioni për transferim e tij në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Shkodër. Ndërsa 21-vjeçarin e kishin lënë në dhomën e shoqërimit të Komisariatit të Policisë Pukë pa pranga në duar, i arrestuari, banues në lagjen “Don Bosko” në Tiranë, ka arritur të heqë me forcë hekurat nga dritarja dhe më pas është larguar me shpejtësi. Nga hetime paraprake, rezulton se inspektorët e policisë po përgatisnin makinën me të cilën do të kryenin transferimin në momentin e arratisjes së 21-vjeçarit. Në pak minuta, Nikja ka mundur që të heqë me forcë zgarën e hekurave që qëndron në çdo dritare të komisariatit për të parandaluar arratisjet. Më pas, i riu që njihet nga policia e kryeqytetit si grabitës serial i bizneseve dhe banesave, ka arritur të dalë nga ambientet e komisariatit pa tërhequr vëmendjen e asnjë punonjësi policie. Nikja, i cili rezulton person me precedentë kriminalë, pasi është dënuar në vitin 2013 për “vjedhje”, po mbahej i arrestuar lidhur me një ngjarje të ndodhur në gusht të këtij viti, ku grabiti një emigrant në Pukë.
ARRESTIMI
Arrestimi i tij erdhi pasi më datë 24 gusht 2017 ka bërë kallëzim në polici shtetasi M. N., banues në Vaun e Dejës, por që prej vitesh jeton si emigrant jashtë vendit, i cili ka deklaruar se në Gomsiqe, Pukë, ndërsa ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij, ka ndaluar për të marrë një person që nuk e njihte për ta ndihmuar pasi po lëvizte në këmbë.
Por, gjatë rrugës i riu i ka marrë me forcë portofolin, në të cilin kishte dokumentet, rreth 250 euro dhe 1500 lekë. Nga hetimet e bëra nga strukturat e Komisariatit të Policisë Pukë për rastin e vjedhjes me dhunë në Gomsiqe, është bërë i mundur identifikimi si autor i dyshuar i Emirjon Nikjes. 21-vjeçari u arrestua më datë 6 shtator 2017, në bashkëpunim me forcat e Komisariatit numër 3 Tiranë.
Më pas u bë i mundur transferimi i tij për në Pukë, ku edhe ishte bërë kallëzimi nga personi i grabitur. Ndaj tij u ngrit akuza “vjedhje me dhunë” dhe “kanosje”.
ARRATISJA
Gjatë paradites së të shtunës, ditë kur Emirjon Nikja kishte seancën gjyqësore për vlerësim të masës së sigurisë, ku Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, ai arriti t’u arratisej forcave të policisë së Komisariatit të Pukës.
Për kapjen e tij, u nisën në drejtim të Pukës 6 grupe të FNSH-së, si dhe forca të shumta nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër. Pavarësisht se u ngritën pika të shumta kontrolli dhe u njoftua Drejtoria Vendore e Policisë Kukës e Lezhë, si dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër e Kukës, nuk është gjetur ende asnjë gjurmë e 21-vjeçarit në arrati.
Pak pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për të nisur hetimin disiplinor dhe për të marrë masa drastike ndaj gjithë personave përgjegjës për këtë ngjarje, në Komisariatin e Policisë Pukë.
SHÇBA ka arrestuar në flagrancë punonjësit e policisë, inspektor Pajtim Bushin dhe inspektor Dodë Prekën, me detyrë trupë shërbimi pranë këtij komisariati. Arrestimi i dy punonjësve u bë pas kryerjes së veprimeve hetimore, ku u konstatua se nga ana e tyre nuk janë zbatuar detyrat funksionale të përcaktuara për sigurimin e personave të shoqëruar dhe ambienteve ku ata qëndrojnë.
Ndërkohë, ende vazhdon puna për kapjen e të arratisurit, krahas punës për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.