Ndonëse ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku nuk i ka punët mirë me drejtësinë, pasi është shpallur në kërkim nga policia, krejt e kundërta ndodh me bashkëshorten e tij, e cila ka fituar një tender publik. Mësohet se Ministria e Brendshme i ka dhënë një tender për mirëmbajtjen e lulishteve në QSUT, gruas së Kajmakut, Merita Kajmakut.
Kjo e fundit administron kompaninë ‘Kajmaku SH.P.K.’, pasi ia kaloi bashkëshorti i saj më 17 korrik të vitit të kaluar, ndërsa fitoi tenderin nga Agjencia brenda MB-së.
Tenderi në fjalë është dhënë më 30 dhjetor të 2019-ës, kohë në të cilën ish-kryebashkiaku ishte shpallur në kërkim. Agim Kajmaku u shpall në kërkim në 11 nëntor, ndërsa akuzohet për “falsifikim formulari”, “falsifikim dokumentash” dhe “përvetësim posti”. Ndaj tij gjykata e Tiranës ka caktuar në mungesë masën ‘arrest me burg’. /BW/