Pasi Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes CEZ ka reaguar Shkëlzen Berisha, djali i ish- kryeministrit Berisha. Me një postim në Facebook, Berisha shkruan se ai u akuzua dhe kallëzua me urdhër të kryeministrit Rama, për ndikim të paligjshëm në një proces me të cilin thotë se nuk kishte kurrfarë lidhje. Pushimin e çështjes nga gjykata Shkëlzen Berisha nuk q quan drejtësi, por thotë se “drejtësi do të ketë ditën kur, regjisori dhe zbatuesi i këtij teatri të shëmtuar e bajat të përballen me ligjin”.
“Edi Rama orkestroi thirrjen time 4 herë në komisionin e tij parlamentar dhe më pas padinë në prokurori me qëllimin e vetëm, se do mund të mbulonte akuzën tashmë të njohur botërisht për korrupsion e tij dhe ministrave te tij, në procesin e largimit të CEZ nga Shqipëria, që sipas dokumenteve të KLSH-së, u kushtoi qytetarëve shqiptarë plot 600 mln euro (pa llogaritur dëmet me të cilat kjo faturë rritet disa herë)”, shkruan mes të tjerash Shkëlzen Berisha.
Postimi i plotë:
Të dashur miq,
Dje gjykata me kërkesë të prokurorisë vendosi rrëzimin e padisë së Grupit Parlamentar të PS (pra të Edi Ramës) pasi e gjeti pa prova, pa fakte e të pabazuar në ligj.
I njëjti gjykatës, që pa asnjë provë apo fakt para dy vjetësh, nën presionin politik, urdhëroi marrjen e dëshmisë time, duke e kaluar barrën e provës nga akuzuesi tek i akuzuari, u detyrua të pranojë konkluzionin e prokurorisë (për të dytën herë) se akuza e ngritur nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste nuk mbështetej në prova, por në shpifje, duke vërtetuar në fakt atë që dihej: ky qe thjesht një sulm i pastër dhe i paprecedent politik.
I gjithë hetimi e posaçërisht provat e mbledhura nga autoritetet çeke me kërkesë të prokurorisë, dhanë përgjigje shteruese se Shkëlzen Berisha nuk ka patur lidhje me CEZ, as fizikisht, as elektronikisht e në asnjë lloj forme tjetër.
Shkëlzen Berisha, u akuzua dhe kallëzua me urdhër të Edi Ramës nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste (e paprecedentë në 30 vjet politikë që parlamenti të thërrasë e kallëzojë familjarët e kundërshtarëve politikë) për ndikim të paligjshëm në një proces me të cilin nuk kisha kurrfarë lidhje, pas ASNJË prove apo fakt (sikundër provohet nga vendimi i gjykatës dhe prokurorisë).
Sot kur përgjigjet nga Çekia provojnë përtej çdo dyshimi se unë, nuk kam udhëtuar në Çeki as në kohën dhe as me personat e pretenduar, as për CEZ e as për ndonjë çështje tjetër, sot kur emaili i famshëm mohohet të jetë nisur apo dhe që të ketë ekzistuar, pikërisht nga ata që prezumohet se e kanë nisur, sot kur pas kontrollove të llogarive bankare, tabulateve telefonike e sistemit TIMS, Shkëlzen Berishës nuk i del asnjë lidhje direkte apo indirekte me këtë çështje apo me personat e lidhur me të, nuk mund të mos shtroj pyetjen: Për cilën arsye jam thirrur për të dëshmuar 4 herë para një komisioni parlamentar dhe një herë para prokurorisë?
Edi Rama orkestroi thirrjen time 4 herë në komisionin e tij parlamentar dhe më pas padinë në prokurori me qëllimin e vetëm, se do mund të mbulonte akuzën tashmë të njohur botërisht për korrupsion e tij dhe ministrave te tij, në procesin e largimit të CEZ nga Shqipëria, që sipas dokumenteve të KLSH-së, u kushtoi qytetarëve shqiptarë plot 600 mln euro (pa llogaritur dëmet me të cilat kjo faturë rritet disa herë).
A është normale që Parlamenti i Shqipërisë të shpërdorohet e abuzohet në këtë mënyrë për të goditur jo vetëm kundërshtarët politikë, por dhe familjaret e tyre pa asnjë provë apo fakt?
A është normale që një gjykatë apo prokurori nën presionin politik, të thërrasë një qytetar për të dëshmuar para se të administrojë në mënyrë të ligjshme prova që prezumohet se kanë shërbyer si indicie se ky qytetar mund të ketë patur dijeni për rrethana të caktuara?
Dje gjykata me kërkesë të prokurorisë vendosi të rrëzojë akuzën e Edi Ramës si politike e të pabazuar në ligj, por kjo nuk është drejtësi!
Drejtësi do të ketë ditën kur, regjisori dhe zbatuesi i këtij teatri të shëmtuar e bajat të përballen me ligjin jo vetëm për koncesionet korruptive dhe shpërblimet e trafikantëve të drogës që u financojnë pushimet ne kembim te tenderave, jo vetëm për “përlarjen” e 600 milionë eurove në marrëveshjen korruptive te largimit te CEZ nga Shqipëria, por dhe për shpërdorimin e detyrës e konkretisht atë të instrumentalizimit të Parlamentit të Shqipërisë dhe drejtësisë si “ar.më” kundër familjarëve të kundërshtarëve politikë.