Deputeti i opozitës se re parlamentare, Kujtim Gjuzi ka sjellë në seancën e sotme parlamentare flamurin kombëtar të qëndisur me dorë. Gjuzi kërkoi që flamuri të vendoset në çdo komision dhe institucion. Ndërsa theksoi se nëse nuk do e shohë flamurin kombëtar të vendosur do i kërkojë kryeministrit shkarkimin e drejtorit të institucionit.
“Sot jemi në Tiranën 100 vjet. Prandaj do ju kërkoja nuk dua si parti konservatore, si deputet i këtij Kuvendi të shoh komisione që i mungon flamuri shqiptar. Nuk ka shanse më. Ka ardhur partia konservatore këtu 10 muaj më parë, e kam ruajtur flamurin e qëndisur nga familja e Kazazëve dhe Belishova e keni këtu. Ju zonja kryetare hajde merreni dhe vendosni në çdo institucion, komision. Nëse Kujtim Gjuzi nuk do ta shohë do i kërkojë kryeministrit ta shkarkojë drejtorin në çdo sekondë. Është qëndisur me dorë,”- tha ai.
Gjuzi ia dha flamurin deputetit të PS, Ervin Bushatit.