Vetëm fati duket se ka parandaluar një ngjarje të rëndë në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës. Vetëm pak metra larg impiantit të njohur, është edhe shtëpia e administratorit të Vllaznisë Suad Lici, njëkohësisht bisnesmen i suksesshëm prej vitesh në Shkodër. Nga mesdita e djeshme, ai kishte lënë makinën e tij të parkuar para derës kryesorë të shtëpisë. Mëngjesin e sotëm, si çdo ditë, ai ka dalë nga shtëpia.
I shoqëruar nga babai i tij, Licit i ka rënë në sy një pako në tokë, në pjesën e pasme të makinës së tij. Në pamje të parë, dukej si një pako me eksploziv, e lidhur edhe me një fitil zjarrpërcjellës. Menjëherë Lici ka njoftuar uniformat blu, të cilat kanë bërë rrethimin e zonës, duke mos lejuar kalimin e askujt. Kontrollet e para të policisë, kanë evidentuar pakon, kanë patur dyshime se është lëndë plasëse, por protokolli i rastit nuk i ka lejuar të bëjnë asnjë veprim.
Janë njoftuar Forcat Xheniere në Tiranë, të cilat pas rreth 2 orëve e gjysmë, kanë qenë në vendngjarje. Ekspertët kanë konstatuar një pako me 200 gr eksploziv C4 poshtë makinës tip ‘Benz’ me targa AA 311 SH të Suad Licit. Fatmirësisht pakoja me eksploziv nuk shpërtheu, pasi fitili përcjellës, sipas ekspertëve të Xhenios që erdhën nga Tirana, ishte fikur duke bërë që zjarri të mos arrijë deri tek kapsolla që të kryente shpërthimin e tritolit që ishte mbështjellë me natriban.
Në vendngjarje, ka qenë e pranishme edhe kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, e cila ka bashkëbiseduar me punonjës të policisë por edhe me vetë Licin. Po ashtu, Ademi ka dhënë edhe në prononcim për mediat lidhur me ngjarjen.
Ndryshe nga herët e tjera, Forcat e Xhenios që erdhën nga Tirana hoqën eksplozivin, por nuk e bënë shpërthimin e kontrolluar, pasi do të analizojnë lëndën plasëse, ndërsa do të hetojnë për gjurmë të mundshme gishtash që mund të jenë lënë në pako për të shkuar te autorët. /ShkodraWeb Media/