Presidenca i është përgjigjur ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj e cila u padit sot në SPAK nga Presidenti i Republikës Ilir Meta për çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Zëdhënësi i Presidentit, z. Tedi Blushi ka larguar formalizmat me sa duket, dhe i drejtohet ministres me një fjalë të zhargonit të përditshëm ‘çupë’
“Edhe falsifikatore edhe krenare! Ti qofsh moj çupë!”, shkruan Blushi.
Më herët, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka reaguar pasi Presidenti Ilir Meta depozitoi sot në SPAK, kallëzimin ndaj saj. Me një shënim në Tuiter, Gjonaj shkruan se është e gatshme të përballet me SPAK, por edhe me vetë Presidentin Meta. Ndërsa e quan situatën e krijuar absurde, Gjonaj thotë Presidenti ka bërë hapin e duhur, “njohjen e institucioneve e reja të Reformës në Drejtësi”.
“Shpresoj që të pranojë punën e tyre edhe ditën kur drejtësia e re dhe SPAK të filloj të godasë në shenjat e njohura botërisht si njolla të Shqipërisë, politikanë dhe zyrtarë të lartë të njohur për korrupsionin dhe krimet e tyre në këtë vend. Koha që drejtësia të veprojë!”, shkruan mes të tjerash në postimin e saj në Tuiter, Ministrja e Drejtësisë.
Postimi i plotë:
Sikur të mos i mjaftonte politika e dëshpëruar e dhunës verbale, sot Kreu i Shtetit ka gjetur kohën të paraqitet personalisht me të gjithë stafin e tij në zyrën e sekretarisë të SPAK, për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj meje dhe stafit tim.
Në respekt të Kushtetutës dhe pozicionit tim zyrtar me Presidentin, reagimi im do jetë institucional kundrejt akteve të tij. E siguroj se jam gati t’i përgjigjem jo vetëm SPAK-ut ligjërisht po dhe atij vetë publikisht, institucionalisht dhe ligjërisht, me kulturë dhe etikë.
Pavarësisht absurditetit të kësaj historie, mbetet me rëndësi që Presidenti ka bërë hapin e duhur, njohjen e institucioneve e reja të Reformës në Drejtësi të cilën ai u lodh aq shumë duke e luftuar dhe përbaltur atë dhe cilindo që punon me të, shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
Shpresoj që të pranojë punën e tyre edhe ditën kur drejtësia e re dhe SPAK të filloj të godasë në shenjat e njohura botërisht si njolla të Shqipërisë, politikanë dhe zyrtarë të lartë të njohur për korrupsionin dhe krimet e tyre në këtë vend. Koha që drejtësia të veprojë!