Ndërkohë që në vend nuk ka asnjë rast të konfirmuar të koronavirusit, Ministrja e Shëndetësisë, u bën apel të fortë të gjithë udhëtarëve që kanë qenë në zonat e prekura, apo që kanë pasur kontakte me persona të dyshuar, të vetëkarantinohen për një periudhë prej 14 ditësh. Kështu ka deklaruar sot në një konferencë për mediat Eugena Tomini, Drejtuesja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemiologjike, pjesë e Task-Forcës, teksa ka dhënë detaje nga situata më e fundit në vend.
“Ata që kanë pasur shenja të temperaturës apo kollës të telefonojnë në numrin 127. Është shumë i rëndësishem bashkëpunimi me vete qytetaret. Bëj thirrje që gjithë udhëtarët të respektojnë masat”- tha ajo.
Sipas saj, janë vlerësuar 3500 udhëtarë që kanë pasur histori udhëtimi në vendet me transmetim të shpërthimit komunitar.
“Në Rinas, po kryet monitorimi i temperaturës për të gjithë pasagjerët”- tha ajo, duke shtuar se, në total janë bërë analizat për 17 raste të dyshuara, por që për fat kanë rezultuar negative.
Ajo ka deklaruar se në qendrën e urgjencave numri i telefonatave ditore ka mbërritur në 1300 telefona, prej njerëzve që janë të shqetësuar. Pyetur për zonën e zgjedhur si karantinë, ajo ka thënë se nuk është brenda QSUT-së, por pa dhënë detaje se ku. “Karantina nuk është brenda QSUT, por ju garantoj se plotëson të gjitha kushtet”- tha ajo.