Kontrolli i Lartë i Shtetit për vitin që u mbyll ka realizuar 160 auditime nga të cilat ka dalë në përfundimin se dëmi ekonomik që institucionet i kanë shkaktuar shtetit është 223.8 milionë euro. Institucioni i kontrollit kërkon vëmendje më të shtuar të Kuvendit dhe qeverisë lidhur me dikasteret që kanë rezultuar me shkelje financiare.
“Për periudhën janar – dhjetor 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer 160 auditime, nga të cilat janë evaduar 140, 20 auditime janë në proces. Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 27,3 miliardë lekë, ose 223,8 milionë euro.
Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 130,5 miliardë lekë, ose afërsisht 1,044.1 milionë euro. Nga auditimet e kryera në vitin 2019, kemi identifikuar disa çështje thelbësore mbi qëndrueshmërinë e financave publike, të cilat, duke qenë se vijojnë ndër vite, në mendimin tonë kërkojnë një vëmendje të shtuar të Kuvendit dhe Qeverisë” thuhet në raport.
Auditimet sipas KLSH-së janë kryer në një numër të konsiderueshëm prej 192 subjektesh, “institucione qendrore dhe njësive në varësi (Ministri dhe agjenci të ndryshme, drejtori qendrore dhe rajonale etj.); njësi të vetëqeverisjes vendore (bashki e qarqe), shoqëri publike në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve dhe duke e mbyllur me auditimin e projekteve me financim të huaj, etj., duke mbuluar të gjithë ciklin e veprimtarisë së tyre (të ardhurat dhe shpenzimet etj.), nga të cilat një peshë jo të vogël zënë auditimet e performancës”.
Gjithashtu sipas KLSH-së, “është rritur përqindja e auditimeve financiare, e numrit të auditimeve të performancës, kemi rritje të numrit të auditimeve IT, gjë e cila shpreh jo vetëm ecurinë e veprimtarisë audituese të KLSH në përputhje me kërkesat e BE-së, të përcaktuar në Raport-progresin e vitit 2019 për Shqipërinë, por dhe me dinamikat e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit tonë”.