Tri automjete janë përfshirë në një aksident rreth orës 06:15 të mëngjesit të kësaj të diele. Aksidenti, sipas burimeve zyrtare, ndodhi në aksin e rrugës kombëtare Tiranë -Elbasan në afërsi të Rrethrrotullimit të Bradasheshit. Të njëjtat burime bënë me dije se një autoveturë si pasojë e përfshirjes në këtë aksident ka dalë jashtë rruge dhe është përmbysur.
Ndërkohë raportohet se e dëmtuar lehtë ka mbetur një grua shtat zëne, e cila sipas stafit mjekësor që mbërriti në vendngjarje, fatmirësisht nuk ka asnjë lloj rreziku për shëndetin.
Drejtuesit e të tri automjeteve të cilat u përfshinë në aksident dhe personat e tjerë që po udhëtonin me to nuk kanë pësuar asnjë lloj dëmtimi, ndërsa nuk janë ende të qarta rrethanat dhe shkaqet në të cilat ndodhi. Policia paraprakisht dyshon për shkeljen e rregullave të qarkullimit dhe parakalim të gabuar të njërit prej automjeteve që qarkullonte nga Elbasani drejt Tiranës.