Aeroporti i Rinasit, i vetmi në vendin tonë, mëngjesin e sotëm ngjasonte me një vend të shkretuar. Në një video të dërguar në orët e para në redaksinë e ShkodraWeb Media, nuk shihet asnjë frymë njeriu në pjesën e jashtme të tij. Personi që ka dërguar disa sekonda video, ka dërgur edhe foto, por sërish nuk shihen njerëz në qarkullim.
Edhe pse duhej të ishte një nga zonat më të monitoruara në këtë situatë që kalon vendi, nuk shihen askund, as në foto as në video, forca të Policisë apo Ushtrisë edhe pse ato janë shpërndarë në rreth 70 pika në 8 qytete kryesore të vendit. Ajo që vihet re dhe duket edhe në foto, është anulimi i fluturimeve në qytetet italiane.
Ora sipas fotove, shënon 02.48 por mungesa e policisë dhe ushtrisë është vertetë e pafalshme. Aeroporti i Rinasit është një urë lidhëse ajrore shumë e rëndësishme e vendit tonë me shtete që mund të jenë edhe të infektuara nga koronavirus. Personi që ka udhëtuar mëngjesin e sotëm drejt SHBA-së thotë se edhe kontrollet kanë qenë gati inekzistente në Rinas.
Nuk është zbatuar protokolli i zakonshëm para hipjes në avion, nuk është kontrolluar as edhe bagazhi i dorës, nuk i kanë kërkuar as të heqë këpucët siç ndodh zakonisht gjatë kontrollit. Thjeshtë i janë drejtuar me fjalët “ec, ec…”. Ndoshta është momenti që vigjilenca të mos ulet në këtë nivel. Policia e Ushtria janë të domosdoshme në Rinas jo vetëm për koronavirusin, por edhe për arsye sigurie të kuptueshme. /ShkodraWeb Media/