Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, në një intervistë për StarPlus TV ka kërkuar shpalljen e emergjencës shendetësore në vend për përballimin e epidemisë që ka mbërthyer Shqipërinë. Në përgjigje të pyetjeve, Ademi ka thënë se ka bazë për dyshime lidhur me numrin e personave të mundshëm të infektuar. Sipas informacioneve që ajo ka bërë publike, më pak se një person në ditë, në të gjithë Qarkun e Shkodrës, bën testin me tampon për virusin. Ajo ka shtuar se vetëm 14 persona janë testuar deri tani në qarkun e Shkodrës.
Qytetarja e parë e Shkodrës ka kërkuar transparence dhe informim të saktë për qytetarët, njëkohësisht vëmendje për familjet që mund të kenë probleme edhe me furnizimin me ushqime dhe gjera të nevojës së parë. Ademi ka thënë se edhe hyrjet në kufinj nuk monitorohen, teksa nga rreth 500 persona në ditë, më pak se gjysmës i matet temperatura.
Bashkia e Shkodrës, me rezervat e saj, ka nisur shpërndarjen e ushqimeve për familjet më në nevojë, por me kalimin e ditëve duhet edhe angazhimi konkret i strukturave shtetërore të tjera.