Si sot 23 vjet më parë, “Kateri i Radës” do të fundosej në Otranto i goditur nga anija italiane “Sibilla”. 81 shqiptarë u kthyen të pajetë nga deti dhe asnjëherë nuk ktheu 24 të tjerë.
Sot në aeroportin “Fiumicino” të Romës u ulën 10 mjekë dhe 20 infermierë, të cilët do të shkojnë në Lonbardi, në zemrën e pandemisë së rrezikshme për të ndihmuar kolegët italianë në betejën e vështirë që deri sot vetëm në këtë vend, ka marrë mbi 10 mijë jetë njerëzish.
Jehona e këtij gjesti nga Shqipëria e vogël e një “populli emigrantësh” siç na quajnë italianët, ishte e madhe në mediat italiane. RAI shtetëror por edhe Mediaset i kushtuan hapësira të shumta në rubrikat informative.
Sigurisht, Italia nuk do të shpëtojë nga kjo “mërgatë” e mjekëve e infermierëve shqiptarë. Por duhet kuptuar se këto 30 njerëz po shkojnë atje duke lënë edhe në vendin e tyre, një betejë të hapur me virusin.
Në vitin 1460, Gjergj Kastrioti nisi një ekspeditë në Jugun e Italisë, duke i ofruar mbështetjen e tij Ferdinandit të Napolit, i kërcënuar në mbretërimin e tij nga Anzhuinës, pasi babai i tij Alfondi V i Aragonit, ndërroi jetë. Edhe asokohe, Gjergj Kastroti linte vendin e tij në rrezik, pasi kërcënimi nga osmanët, pavarësisht një arm pushimi, sihte i përhershëm. Për reth dy vite, duke nisur nga shtatori 1460, Skenderbeu do të siguronte mbretërimin e qetë të Ferdinandit, duke ngjallur panik tek rivalët e tij Anzhuin. Në atë që në histori njihet si “Ekspedita e Gjergj Kastriotit në Jugun e Italisë”, Skenderbeu meritoi jo vetëm mirënjohjen, por më pas, edhe një strehë për djalin e tij e mijëra shqiptarë që pas rënies së Krujës nën osmanët, gjetën e strehë në feudet e dhuruara nga Ferdinandi. E nga ajo kohë, mijëra arbëresherë vazhdojnë t jetojnë krenarë, si në tokën e tyre, në Jugun e Italisë. Ruajnë doke, zakone e gjuhë të të parëve, në një krenari të përhershme por që nisi me Gjergj Kastriotin e madh.
Në rrjete sociale po qarkullon një vendim i qeverisë shqiptare për pagesën me 3000 euro në muaj dhe 2500 euro në muaj për mjekët e infermierët që sot u nisën drejt Italisë. Shqipëria është akoma një vend i varfër dhe shifrat e mësipërme, janë të lakmueshme për çdo individ e familje që ka ndertuar jetën në Shqipëri. Por nuk mendoj se është vetëm kjo shtysa që 30 mjekë e infermierë, të shkojnë në Itali duke rrezikuar dukshëm jetën e tyre përballë një virusi të panjohur e të frikshëm. Sepse jeta nuk ka asnjë çmim! Mund të jetë edhe një gjetje e kryeministrit Rama, tashmë që BE-ja pranoi hapjen e negociatave për aderim për vendin tonë. Por mendoj se më e fortë, është thirrja shpirtërore që vjen nga thellësia e shekujve. Është ADN-ja jonë që përmblidhet në vetëm disa fjalë “Miku i mirë njihet në ditë të vështirë”. Që nga koha e Skenderbeut, deti më shumë se i ka ndar, i ka bashkuar këto vende. Si me çdo shtet tjetër, kemi patur ulje- ngritje në marrëdhënie. Kemi patur pika të errëta, akuza e kundërakuza por në finale, sidomos në momente të vështira reciproke, Adriatiku por edhe Joni, na kanë bashkuar si një urë e madhe komunikimi.
E sot, ndërsa 28 marsi bashkon “Tragjedinë e Otrantos” dhe 30 mjekë e infermierë që po shkojnë në Itali të përballen me virusin e rrezikshëm, shqiptarët kanë mundësinë të ndjehen krenarë, pse jo edhe superiorë përballë italianëve. Për një arsye të thjeshtë mbase: Përballë pandemisë, ka pak vlerë pasuria apo fuqia e një shteti. Gjithëka nis nga zemra dhe shpirti! Sot shqiptarët ecin më krenarë rrugëve të Italisë e shumë italianë, nga sot, duhet të ulin kokën përballë nesh. Këtë betejë të paktën 30 vjeçare, nga 1990 e këtej, nuk e fituam as me mafia, as me forcë, as me kryeneçësi! E fituam me zemër! /Nga Blerti DELIJA/