Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, ka patur një komunikim ditën e sotme me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim. Lajmi është bërë i ditur nga vetë diplomatja amerikane, përmes një postimi në Facebook dhe Tuiter, në faqet zyrtare të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Në postimin e saj, të shoqëruar edhe me disa foto të komunikimit mes tyre që mesa duket ka qenë me Skype, ambasadorja Kim shprehet:
“?? | “Kënaqësi që takova (virtualisht) Voltana Ademin. Ju falenderoj që keni marrë të gjitha masat për t’i mbajtur qytetarët e Shkodrës të sigurtë & të shëndetshëm. Pres t’ju vizitoj nga afër sa më shpejt të jetë e mundur, por për momentin, të gjithë le të #rrimeneshtepi.” | Ambasadorja Yuri Kim”.
Telefonata e ambasadores Kim vjen vetëm pak orë pas debateve në distancë lidhur me situatën e pandemisë në Shkodër në mes Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe kryebashkiakes Voltana Ademi. Nga komunikimi i publikuar nga ambasadorja Kim, lexohet qartë vlerësimi publik për masat e marra nga Bashkia Shkodër në përballimin e kësaj situate. /ShkodraWeb Media/
Ndërkohë, ka reaguar pas këtioj postimi edhe Qytetarja e Parë e Shkodrës, e cila ka shpërndarë postimin e Ambasadës Amerikane në Facebook duke e shoqrëruar edhe me një informacion, lidhur me atë çfarë është diskutuar me ambasadoren e SHBA-së. Kryebashkiakja Ademi shkruan në faqen e saj zyrtare në Facebook:
“Dua të falenderoj Ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Zonjën Yuri Kim, me të cilën pata kënaqësinë të komunikoj sot nga Shkodra. E falënderova për interesimin dhe mbështetjen e treguar në vazhdimësi për Shkodrën, nga ajo personalisht, por edhe nga Ambasada Amerikane, edhe në këto ditë jo të lehta që po kalojmë.
Gjatë bisedës, informova Ambasadoren lidhur me përballimin e situatës në Bashkinë e Shkodrës, masat e marra për parandalimin e përhapjes së virusit, për mbështetjen e individëve dhe familjeve në nevojë, për bashkëpunimin dhe punën e Bashkisë Shkodër me institucionet dhe qytetarët, me organizatat e shoqërisë civile dhe biznesin.
Bashkia e Shkodrës do të bëjë çdo gjë, duke vënë të gjithë kapacitetet e mundësitë e saja, për të kaluar me sa më pak pasoja përballjen me COVID19, për të ndihmuar çdo ditë në vazhdimësi, duke shkuar tek secila familje!
Unë e besoj, dhe e sigurova Ambasadoren, se Shkodra dhe shkodranët, me qytetarinë, karakterin, me solidaritetin në ditë të vështira dhe bashkëpunimin që i karakterizon do ta përballojnë këtë sfidë. Kjo është e mundur! Nëse qëndrojmë në shtëpi dhe mbajmë higjienën personale.”.