Presidenti Ilir Meta, në Ditën e Shenjtë të Pashkëve, ka bërë një urim të veçantë për Kardinalin Ernest Simoni Troshaninin. Me një shënim në Facebook, Presidenti Meta thotë se ai është një simbol i rezistencës dhe vlerave njerëzore. Ndërsa shpërndan edhe mesazhin e Kardinalit, Meta shprehet se në këto ditë të vështira mesazhi më i mirë është ndarja e të mirave me ata që kanë nevojë.
Postimi i plotë:
Një urim të veçantë në Ditën e Shenjtë të Pashkëve për Kardinalin tonë të dashur Ernest Simoni Troshanin, simbolin e rezistencës dhe përkushtimit të pashembullt ndaj vlerave njerëzore dhe idealeve kombëtare.
Me bekimin e Zotit të ketë jetë të gjatë, me plot shëndet e mbarësi!
Në këto ditë të vështira të pandemisë botërore, kur besimtarët katolikë po kremtojnë Pashkët me “dyer të mbyllura”, Kardinal Ernest Simoni Troshani me të drejtë na kujton vitet e tij të vuajtjeve dhe torturave çnjerëzore, ku edhe pse i izoluar në qelitë e burgjeve, gjente forcën, kurajon dhe shpresën tek besimi dhe dashuria për jetën dhe njerëzit!
“MOS KINI FRIKË! Lutuni dhe sigurohuni që dashuria e Zotit të përcillet për të gjithë. Thyejeni bukën dhe ndajeni atë dhe të mirat tuaja me të varfërit, sepse po i jep Jezusi. Ju kur ndihmoni të pastrehët dhe të sëmurët, keni bërë punën e Zotit. Sot pasuria më e madhe është ndarja. Besimi përbëhet nga vepra dhe mrekulli, jo vetëm nga fjalë. Zoti nuk është vetëm në kisha. Zoti është kudo, Zoti është edhe brenda qelizave tona”, – janë porositë e mençura që jep sot në Festën e Pashkës Kardinali ynë i dashur.
Faleminderit me mirënjohje për këto mesazhe kaq shpresëdhënëse që na jep të gjithëve Ernest Simoni Troshani!