Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, jep mesazhin e parë nga shtëpia, pas daljes nga spitali, ku qëndroi për disa ditë për t’u kuruar për korona virusin. Në një video-mesazh publik në “Twitter”, kryeministri Johnson shpreh falënderimet më të thella për të gjithë personelin mjekësor, që i shpëtoi jetën atij, dhe që po luftojnë do ditë në vijën e parë të betejës me virusin e frikshëm.
Mes të tjerash, dhe teksa shprehet besimplotë se Britania do ta fitojë edhe këtë betejë, si ka kapërcyer shumë sfida në të kaluarën, Johnson shpreh një falënderim të veçantë për dy infermiere, që sipas tij, i kanë qëndruar te shtrati për 48 orë, në momentet më kritike të tij.
“Është e vështirë të gjesh fjalët për të shprehur borxhin tim ndaj mjekëve, që më shpëtuan jetën. Së bashku do ta kapërcejmë këtë sfidë, pasi kemi kapërcyer aq shumë sfida në të kaluarën”, shkruan Johnson.