Qeveria i caktoi nji “prefekt” të ri Shkodrës, në përpjekje me vu nën kontroll përkundjen e brendshme, boshllekun flagrant institucional të krijuem prej saj me lojën e qershorit 2019 dhe per me tërheqe vëmendjen nga mosveprimi, lënia mënjanë, izolimi, shtërngesa e denueshme, shtypja e hershme e stërholluar e saj ndaj krahinës.
Nuk me ban aq shumë përshtypje sjellja e dikujt nga larg në nji detyrë të tillë të randësishme dhe me përgjegjësi, në nji territor të panjoftun për të zbatue nji program dhe nji metodë qeverisjeje dhe trajtimi të masave emergjente. Nuk kam as te drejte ta paragjykoj zotin Lamallari.
Edhe në kohën kur Shqipnia drejtohej nga shqiptarë të mirë, të ndershëm e kombëtaristë praktika e të deleguemve asht përdorun për me i dhanë drejtim punëve, me shmangë tarafet e provincës dhe drejtësi zgjidhjeve të brendshme. Ajo që më ban me i shkrue këto rreshta asht pika ku kanë mbërritë punët shkodrane në sferën publike, përmbysja e rendit kualitativ të mendimit dhe veprimit udhëheqës, administrativ dhe politikbërës, shkatërrimi dhe groposja e përfaqësisë me farsen e zgjedhjeve krahinore të vitit të kaluem. Të gjitha të cojnë tek pyetja: Ku jena dhe ku po shkojmë?
Tre dekada rezultuen të pamjaftueshme për Shkodrën për me e rikapë fillin e këputun, por jo vetëm kaq. Me intervale qe bajne perjashtim nga rregulli i ma poshte shenuem, rruga nepër të cilen ecëm e thelloi dhe e konsolidoi provincializimin e kryeqendres sonë të perëndueme, largoi edhe pjesen fundore të elitës, që premtonte ripërtëritje, duke e vendosun komandën e punëve aty ku rregullat e etënve nuk mund ta drejtonin kurrë. Zbritja nuk u ndal këtu. Struktura të reja, të krijueme në “katundin” tonë nga reflektimet e zhvillimeve qendrore të Tiranës dhe dirigjimet e lojtarëve qe lozin synin, përforcuen pozicionin e nji province të pafuqishme me mendue vetë dhe pa nji za të vetin në politikëbamjen shqiptare.
Kriza politiko-kushtetuese e vitit 2019 dhe gjendja e zbulueme e shoqnisë në krizen e pandemisë na kanë vendosë para pasqyres.
Shohim se kemi nxjerrë jashtë pëllumbat e shpresës dhe u kena ndërtue habitatin kotësisë dhe meskinitetit, atyne që kanë nevojë të përditshme me u duartrokit nga të paktit, për hipokrizi, për mbijetesë dhe për arsye të ofrimit të nji vendi në tavën e interesave. Ndjekja pas e kotave vazhdon për inerci të kthehet në standard besueshmërie për nji pjesë, ndersa pjesa tjeter sheh me indiferentizëm dhe me pamundësi reaguese dramen e degradimit të djepit të dikurshëm të qytetnimit shqiptar, për shkak të mungesës së lirisë dhe përdorimit të dhu nës ndaj pjesës së urtë që mendon vete dhe drejt.
Në vend të nji sfere publike të përqendrueme tek të konfirmuarit që janë formue prej punës, dijes, ne, me “pafajësi” dhe të yshtun prej përkuljes servile, ndërtuem tarafin e të caktuemve të programuem me force, të vetkonfirmuarve prej hallit, gjysmakëve që punojnë me skuadra të strukturueme, me komanda të padukshme, me sipërmarrje fantazmë dhe pasues prej lakut të marrun rrshanë, që shkëmbejnë interesa mbijetese në vorfni.
Në pranverën e vitit 2020 gjendemi edhe me duar nalt, të rrethuem gjithsecili në disa metra katrorë, në qytetin e boshatisun, pjacën e heshtun, ujnat që rrjedhin pa u ndale në vetmi, pa dalëzotsa të institucionalizuem, në një Shqipni që ka kthye kryet dhe pret shpjegimin e andrrave të natës dimnore të të parit të vendit, te pa qethun dhe te pa rruem, para oborrtarë të tij të përkulun dhe të pa za.
Sot jena pa komandë të krijueme prej vullnetit të lirë qytetar të përcaktuem në Statutin tonë Themelor; me fëmijet, bijte e shpresës, të nxjerrun jashtë dhe të ndaluem me u kthye në shërbim të ringritjes së Shkodrës dhe Shqipnisë; me burime jetese që çdo ditë pakësohen; me vegjetues të pa za, të ulun në karrike për me i shërbye me dorë nalt në Këshillin monist, Kryemjeshtrit dhe taksambledhësve të tij krahinorë; me çakejt,të vjetër dhe të rinj, që nuk bzajnë në pritje të ikjes së furtunës, për me u ripozicionue në lojën e ndamjes së plaçkës së re me rregullat e vjetra, që po e çojnë vendin në humnerë.
A mundena ma me kënë ndjekes të nji qerreje, që tërhiqet rreshqanë në karvanin e madh të të pamundurve, të lanun në mëshirë të fatit nga lojtarët me maska të shtampume në zyrën e Gramoz Ruçit? A mundena edhe nji herë të presim, që skemat që na shndërruen në periferi të vobektë, domen të injorancës, dhu nës, sundimit të idhnakevë që shkretojnë biznesët dhe kenetizojnë jetën qytetare, të të cunguemëve që shërbejne, balozëve me 10 profile fallco që i bajnë qejfin te perendumve, që intrigojnë, prozhomojnë dhe rrahin gjokset e tyne të ndotuna nga korrupsioni i pafre, të ripërsëriten edhe në dekaden e ardhshme?
A mundena që në vend të kthimit të syve nga brezi i ri i të shkolluemeve të lanun enkas jashtë ndërhymjeve ripërtëritëse, të shpresojmë tek arkitektet e promovimit në kohë, të kotave shërbyes? A mundena na sërish të gjejmë në skemat e sistemet e vjetra të pozicioneve qender-periferi, rrugën e ngritjes së Shkodrës që duam?
Pandemia do kalojë, Pjaca e Shkodrës, vendi ku shkodranët përshendeten njëni me tjetrin do kthehet në normalitet, por Shkodrës edhe ma tutje i duhet me zgjidhë drejtë, saktë, lirisht dhe demokratikisht udhëheqësinë, përfaqësinë, me rikthye në funksion Statutin e Etënve dhe me i hap rrugën djelmve dhe vajzave të Labeatise, që u nxorrën jashtë, të japin kontributin e tyne në ringritje.
Fjalë të bukura, që po nuk u shoqnuen me hapjen demokratike të konkurencës, ndryshimit e kodit qendror elektoral për kah përputhja me nevojat e përfaqësisë jo të pilotueme, vendosja e standardeve të arsimimit dhe përvojës në përzgjedhje, pastrimin e hapësinës publike nga kontrollet e padukshme, kanë me mbetë vetëm fjalë! Nji perfaqesi imponuese e shkolles politike dhe administrative te etenve themelues ne kryeqender mbetet kryefjala e ardhshme e veprimtarise, per me dashte me dhane shprese.
Shkodra ka me kenë edhe ma tej kështu, në qoftë se, nji pushtet qendror mirëfillimi demokratik, i udhehequn nga njerëz me mendje të hapun dhe me shkollim së paku normal dhe të pandërpreme nuk kombinohet me nji të ngjashëm të tillë në të gjitha rangjet krahinore, në mënyrë te atillë, që forcat reformuese dhe përmirësuese të jenë në një vektor korigjues.
Mbajtja peng e Tiranës politike nga establishmenti aktual, ose korrigjimi i përciptë i sistemit që solli dhe mbajti Edi Ramen dhe ortakët e tij në taven e pushtetit, parasë, trafiqeve, koncensioneve, njëlloj do e mbajë edhe Shkodrën në panoramën aktuale, të nji përiferie të përdorun e te izolueme, te administrueme me delegate te pazgjedhun, hapësirë e gjobvënies ndaj biznesit te cilin e mbron me mosveprim policia e partise, vend nga ku ikin femijët, rinia, intelektualët dhe kushdo që ka andërrue një jetë normale.
Po çfarë është sot Tirana Politike që na izolon, mbyll rubinetat, qeveris më të deleguem dhe mendon me e lanë Shkodrën në vetminë dhe mpakjen e vet?
Asht nji teatër qi fsheh mbas kuintash lojna të pista për akaparim zonash ndikimi, licencash dhe luajtje sysh në aulen parlamentare, nji bursë e allishverisheve të bandave që kanë marrë të drejtat e shfrytëzimit me emna anonimësh për të vjelë paranë publike, për të përdorë portet, skelat e tregtimit të naftës, aeroportet, ujnat e brendshëm, pasunitë minërale, bregdetin, zonat alpine. Tirana Politike nuk iu rikthye qytetarëve të Shqipnisë, por u programue për të mbajtë në tavën e pushtetit, të gjithë rrethin pushtetmbajtësve të viteve 1980’ dhe brezin e lakejve që u shërbenin atyne.
Sot ato komandojnë te pa vetinguem dhe pa certifikate pastertie, Parlamentin, Qeverinë, Drejtësinë, Vetingimin, Financat, Ekonominë, Akademinë, universitetet, programimin e edukimit, Bulevardin e Ligësisë. Një rreth që duhej çmontue 30 vjet ma parë, por që fatkeqësisht e shohim të ripërtërimë nën drejtimin e kryeministrit aktual zotit Edi Rama.
Dhe nga ky qark që ka uzurpue pushtetin në Tiranë, na në Shkodër presim vëmendje, investime, pjesën që na takon me marrë nga shpërndamja e buxhetit, za të lirë dhe të saktë të komunitetit tonë, përfaqësim proporcional në vendimarrje, rikthim të brezit të ri në tokën e të parëve?!
Vështirë me ndodhë pa nji çmontim të këtij sistemi, që prodhoi Republika Oligarkike e të pasunumve brenda natës. /Nga Romeo GURAKUQI, ish- deputet i PD-së Shkodër/