Vitin 1968, kur më njohu me ty Elez Kadria në lokalin “Rozafa” në Shkodër e pimë së bashku nga një konjak e deri më sot i ndan një kohë e gjatë duke përfshirë edhe dy dekada si kolegë në Kinostudio, kohë që filloi me gëzimin e njohjes e kryhet me gjëmën që na solle me ikjen tënde. Është i vetmi hidhërim që u solle njerëzve në jetë.
Sepse ishe mik buzëgaz e zemërhapur me të gjithë. Më duket se ende e dëgjoj zërin tend kur të telefonova në vjeshtën që shkoi për një premierë filmi të shqiptarëve të Tuzit, për të cilën the se, do të vije me kënaqësi por ishe i pamundur e i shtruar në spital. Sot kudo ku ka shqiptarë pikëllohen për ikjen tënde. Po ti i le këtij vendi më të mirën e me të bukurën fisnikëri me artin tënd. I deshe të gjithë e të deshnin të gjithë. Nuk dimë kë të ngushëllojmë me parë, sepse sot jemi të gjithë për tu ngushëlluar.
Lamtumirë fisniku i Shkodrës. Qoftë i lehtë dheu i Rrmajit atje ku prehen paraardhesit e tu, atje ku e kemi cakun e fundit ne shkodranët, kudo ku gjendemi e sa do larg që të ikim. /Nga Kolec TRABOINI, publikuar në profilin e tij Facebook/