Ka disa ditë që pandemia e virusit korona, e ka “harruar” Shkodrën. Fatmirësisht për ne që jetojmë këtu, sidomos lidhur me trysninë jo vetëm mediatike që u krijua për qytetin tonë. Fatkeqësisht për banorët atje, ditët e fundit virusi po shfaqet frikshëm dhe me raste mjaft të larta në Krujë por edhe në Kurbin. Kruja ka “kërcyer” menjëherë duke arritur në 83 raste, ndërsa Kurbini 31.
Fenomeni i pandemisë dhe përhapjes së saj, po shihet tek fasoneritë por edhe tek uniformat blu. Për ta sqaruar, ndryshe nga Shkodra kur kishte vetëm 3 vatra që sipas autoriteteve shendetësore janë mbyllur, në Krujë dhe në Kurbin duket se vatrat janë më të shumta sepse në “lojë” janë fasoneritë dhe policët: Të parët të shumtë në numër dhe deri tani pa masa adeguate mbrojtëse, të dytët në terren dhe në kontakt me qytetarët për shkak të punës.
Deri më sot të paktën, nuk kemi dëgjuar kryeministrit të flasë me shqetësim të shtuar (krahasuar me Shkodrën) për Bashkinë e Krujës dhe as atë të Kurbinit. As ministri i brendshëm nuk ka ndërmarrë ndonjë inkursion “shpëtimtar” drejt këtyre dy zonave. Nuk ka asnjë informacion që ndonjë zëvendës i Lleshajt do të komandohet si prefekt për të “mbyllur hesapet” me korona virusin.
Pyetja që të vjen natyrshëm, sidomos kur je banor i Shkodrës dhe ndjekës i zhvillimeve të ditës është: A ka bashki në Krujë e në Kurbin? Dhe më e rëndësishmja: A kanë kryetar këto bashki?
Nuk kanë kaluar vite e as shekuj për ta harruar por besoj ju kujtohet rasti i Shkodrës. Nga kryeministri, ministra e zëvendësministra, deputetë të Shkodrës e madje edhe deputete jo të saj që kërkonin pak vëmendje mediatike, iu turrën Bashkisë së Shkodrës e kryetares së saj. Nuk lanë asnjë përgjegjësi pa i atribuuar për situatën e pandemisë në qytet. Madje- madje, diskursi publik arriti deri atje sa kryebashkiakja u kritikua edhe për kompetenca që ligji e situata e Fatkeqësisë Natyrore ia njeh Ministres së Shendetësisë e strukturave të saj, Ministrit të Brendshëm e strukturave të varësisë.
Ndërkohë, për rastet e shtuara ndjeshëm në Krujë e Kurbin, asnjë kritikë për bashkitë e kryetarët. Imagjinoni, po flasim për dy bashki që sa bashku nuk bëjnë Bashkinë e Shkodrës si popullsi e territor. Arsyen besoj e dimë të gjithë dhe nuk është e vështirë të kuptohet: 60 nga 61 bashkitë e vendit, janë në një ngjyrë me kryeministrin e vendit, ministrin e brendshëm, ministren e shëndetësisë etj.
Përveç kësaj, ka edhe një specifikë tjetër. Natyrisht, në shërbim të imazhit për sot por edhe për nesër të kësaj shumice që qeveris vendin. Rastet e pandemisë në Shkodër, “u pakësuan” nga puna vetmohuese, e jashtëzakonshme, unikale, pandërprerje…(nuk po më kujtohen cilësorë të tjerë për momentin), e të deleguarit të qeverisë!? Sapo i deleguari mbërriti në Shkodër, fillimisht virusi “u fsheh” nga frika. Më pas, iku krejt nga Shkodra (me ndonjë rast sporadik) dhe mesa duket…është përqendruar në Krujë e Kurbin! Por atje nuk ka nevojë për zëvendësministër të komanduar si kryetar i KMC-së. Sepse atje ka kryetarë bashkie “tonët” që…meqë na u kujtua, si i kanë emrat kryebashkiakët e Krujës e Kurbinit…?! Sepse as mediat nuk po guxojnë ti përmendin për ndonjë farë lloj soj përgjegjësie të mundshme për shtimin e rasteve të korona virusit. Ose edhe si pa asnjë përgjegjësi të paktën… Në fakt, duke lidhur emrat e bashkive, ndonjëri mund të jetë edhe i famshëm. Mediatikisht të paktën! /Shënim i ShkodraWeb Media/