“Për dashurinë jap jetën, për lirinë jap edhe dashurinë”. Këto fjalë që në shqip i atribuohen Petro Markos tek “Hasta la vista” por që nëpër botë, me fare pak ndryshim, i gjen tek shumë autorë të huaj, më erdhën në mendje në këto momente. Po lexoja një lajm ku Gjykata Administrative e Pragës, rrëzoi me vendim të gjitha kufizimet e vendosur nga qeveria çeke për shkak të pandemisë.
Në fakt, nuk po mendoja për mungesën e vendimmarrjes së një Gjykate Kushtetuese inekzistente apo të Gjykatës së Lartë akoma të paformatuar, as edhe për ndonjë Gjykatë Administrative në këtë vend që nuk bën siç duhet punën e vet.
Në këto momente më sillej në kokë fjala “liri” dhe vlera e pakët që i japim asaj këto kohë. Natyrisht, përballë frikës për të përfunduar në ndonjë spital apo më keq, nën tokë, nga përballja me korona virusin.
Disa ditë më parë Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë, i dha të drejtë disa të rinjve, të cilët kërkuan të drejtën e protestës edhe në kushte pandemie. Duke respektuar rregullat e distancimit social, askush nuk mund të pengojë të drejtën e tubimit, ishte pak a shumë vendimi i marrë.
Ne shqiptarët, në historinë e treguar nga ne për veten më shumë se nga të tjerët për ne, jemi klasifikuar si popull trim dhe liridashës. Në historinë që ne dimë, asnjëherë nuk kemi pushtuar por gjithmonë kemi luftuar për t’u çliruar nga pushtuesit. Jo pak jemi përpjekur, madje sakrifikuar shumë, edhe për gjuhën amtare, gjithmonë gjëja e parë që pushtuesit e huaj kanë tentuar të na heqin nga goja e mendja.
Sigurisht, shumë nga ata që lexojnë këto rreshta, mendimi i parë që mund t’u vijë është patetizmi. Nuk je aspak në modë apo trendy që në vitin 2020, të flasësh për lirinë. Sepse liria prej shumë e shumë dekadash, është e pamatë. Të paktën deri në fund të vitit 2019.
Tani, jemi pajtuar të gjithë në heshtje, me dëshirën tonë përballë frikës nga virusi, të ndryshojmë rrënjësisht përditshmërinë tonë. Sepse ne, shqiptarët, kemi kufizimet më kufizuese e radikale. Krahasuar edhe me Italinë, vendin simbol të “kafshimit” nga korona virusi. Atje nuk ka orar fikd për të dalë nga shtëpia. Natyrisht, mund të dalësh vetëm për arsye pune, të blesh ushqime e ilaçe për familjen.
Personalisht, nuk kam ndjerë e nuk ndjej deri tani të paktën, asnjë lloj frike nga korona virusi. Jo sepse jam trim, por e di se është një lloj gripi, disi më i egër, i cili me apo pa masa mbrojtëse e distancim social, do ta kalojë pjesa dërrmuese e qytetarëve. Siç edhe me gripin sezonal, dikush “në këmbë” e pa iaçe, dikush “në krevat” e me ilaçe e ndonjë tjetër, mund të ndërrojë edhe jetë për arsye komplikacionesh.
Megjithatë, mirëkuptoj dhe respektoj maksimalisht çdo opinion ndryshe nga i imi. Shendeti e jeta, janë dy gjërat më të rëndësishme, më të pazëvendësueshme për çdo njeri. Respektimi i masave kufizuese, të distancimit social, janë një mënyrë shumë e mirë për të mitizuar riskun nga virusi për vete e familjen.
Ajo që nuk kapërdij është heshtja e qindra shoqatave në vend që nuk kujtohen për “liritë e të drejtat” tona, edhe pse për mbrojtjen e tyre, gllabërojnë miliarda lekë çdo vit, nga brenda e jashtë vendit. A kanë vlerë liritë e të drejtat tona në këtë situatë pandemie, a duhet që dikush të shprehet për këtë?! Kush tjetër veç gjykatave, duke nisur nga ajo Administrative. Këtë besoj se këto qindra shoqata, të paktën njëra prej tyre, duhet ta bëjnë. Jo për “t’i thyer apo ulur hundën qeverisë”, siç mund të aludojë ndokush. Por për ti dhënë dinjitet shqiptarëve, edhe në këto ditë mjaft të vështira.
A e keni provuar të mendoni se pse kufizimet tona janë më të ashpra se edhe të Italisë? Nuk po ju shtyj të mendoni politikisht, në kuptimin e prirjeve diktatoriale të kryeministrit apo enturazhit. Ajo që u e ndjej, edhe pse nuk e shpreh askush, është fakti se neve, qeveria jonë, na konsideron të papërgjegjshëm, edhe përballë rrezikut për jetën tonë. Prandaj, të gjithë me komandë për të hyrë brenda, me komandë për të dalë jashtë. Kjo mendoj se ka të bëjë me dinjitetin. Siç edhe ndryshimet në Kodin Penal, të cilat janë një tjetër tregues në favor të kësaj çfarë po them.
Kjo mendoj se është arsyeja më e fortë që një apo disa shoqata, duhet të ankimojnë masat kufizuese, ligjore apo Facebook-ore të qeverisë e kryeministrit. Sepse edhe në kushte pandemie, edhe në kushte varfërie, jam i bindur se jemi të përgjegjshëm për sigurinë e jetën tonë, të familjeve e komuniteteve ku jetojmë. Është e paimagjinueshme që ne, ti lejojmë qeverisë, çdo lloj qeverie, të shpërfaqet se ajo na do ne më shumë se vetë ne e duam veten, familjen tonë! Apo që qeveria është më e përgjegjshme për familjen tonë se vetë ne!
Edhe sot mendoj se kemi nevojë për dinjitet, të dëgjojmë por edhe të dëgjohemi. Sigurisht që është e rëndësishme që bamirësia, të mos “dekonspirojë” individin që e perfiton. Por mendoj është më e rëndësishme që të mos trajtohemi si turmë e papërgjegjshme, edhe për jetën tonë, nga qeveria. Një turmë që mund të mbijetojë vetëm nëse komandohet kur duhet të dalë, të hyjë në shtëpi, të shkojë në punë, se kur duhet të lahet, kur duhet të hajë. Kapitalizmi, sistemi ku ne jetojmë prej 30 vitesh, është shoqëri me në bazë individin dhe jo turmën. Liria është gjëja më e shtrenjtë, edhe më e shtrenjtë se vetë jeta. Besoj se keni dëgjuar për eutanazinë! Kaq larg ka shkuar Liria! /Nga Blerti DELIJA/