Për deputetin e “opozitës së re”, Kujtim Gjuzi, në lidhje me masat e marra nga qeveria, kryeministri Edi Rama thotë ai ka shkelur ligin për 44 ditë. Ndërsa te qarkullimi i infeksionit që deri tani ka marrë shumë jetë njerëzish në botë, Gjuzi thotë se sipas tij, korona virusi, s’është gjë tjetër veçse një mashtrim.
Në emisionin “Shqipëria Live”, deputeti tha se Rama i ka ndërmarrë këto masa sepse mendon se është babai i kombit. Po ashtu Gjuzi shtoi se sipas tij, kryeministri, është një frikaman dhe merakoset për shëndetin e tij, ndaj ka marrë edhe masa kaq të shtrënguara.
“Unë dua të them se kryeministri Rama ka shkelur ligjin për 44 ditë, sepse e ka vendosur vendin në një karantinë të jashtëligjshme. Ai mendon se është babai i kombit, por nuk është. Ai ta ketë të qartë se nuk mund të ketë korona virus vetëm në ato fasha orare, që ka vënë ai. Shqipëria ka 365 ditë me diell, atje ku hyn dielli, s’ka virus. U bëj thirrje qytetarëve të mos e dëgjojnë dhe të dalin, sepse s’ka korona virus me orare. Kryeministri është një frikaman, uroj të jetë mirë, ka frikën e vet dhe e futi një qytetërim social në kaos. Kjo (korona virusi) është një mashtrim dhe e thonë mjekë të njohur”, u shpreh Gjuzi.