Gjithmonë e më shumë, Shqipëria është sot një jehonë e “kua – kua – kuave”, të një kori bretkosash pa identitet, e për pasojë pa personalitet, të një Kënete të stërmadhe. Dhe dukshëm këneta dhe banorët e saj “kënetarë”, kanë zgjedhur pa dyshim edhe mbretin e tyre, kënetor, apo një superkryeministër, toksik, llastik i llastuar, gjuhëkeq e idhnak, sa më shumë që bëhet plak.
Porse Idhnaku plak, mendjeshteruar dhe gojëshpuar, nuk mund të shpallet kursesi fajtor për këtë, që kori i bretkosave apo kënetarët, e kanë shpallur de facto mbret të tyre. Shqipëri më të dobët dhe më mjerane, zor se mund të përfytyrohet dhe kënetarë më të kërrusur, pa kandil në tru dhe pa fisnikëri në zemër, nuk mund të kish ardh kaq nartyrshëm në kajmakun e pështirshëm të llumit kënetor.
U deshën tërmeti dhe “korona”, që edhe ajo pak gëlqere ngjyruese në surratet e disave, të plasaritej e të binte, si një kore e infektuar e një plage të sëmurë. Sikundër dhe është sot, klasa jonë politike, gjithmonë e më miope, përfituese, zhvatëse dhe mashtruese.
Dhe në këtë rrafsh, krye-bretkoci, apo mbreti i bretkocave, ndryshe kryeministri ynë, nuk mund të bëhet me faj se do të marrë edhe të tretin edhe ndoshta të katërtin mandat qeverisës, për të udhëhequr mjeshtërisht punët e Kënetës sonë Kombëtare, që dhe qelbet gjith’ e më shumë, nga harbutëria, kotësia dhe pashpirtësia e paskaj.
Sepse, kush më shumë dhe kush më pak, banorët e shumtë të Kënetës, ata që munden të turbullojnë sadopak ujin e saj të ndenjur, janë vënë në rradhë dhe presin me dorë ndehur, ndonjë llokëm, nga zhvatja e përgjithshme që tash, rishpërndahet vetëm nga: “Një Dorë!” Dhe kështu, Idhnaku Plak, me erën e rëndë të gojës, ku dhe ngjyen batërdinë e fjalëve që lëshon përditshmërisht, kërcënon, por më së shumti blen kokër për kokër “kundërshtarët” dhe nënujshmërisht, po përgatitet të pleqërojë edhe më gjatë, në Pashallëkun e tij kënetor.
“Kua-kua-rakuaja”, po bëhet tash, gjitmonë e më tepër, melodia demoralizuese e kësaj Shqipërie të lodhur, nga paaftësia e vetvetishme për të dalë nga kënetllëku dhe shitblerja e të gjitha shpresave në tregun e zhapikëve dhe shushunjave të gjithë pushtetshme.
Pa mbërriti si me porosi dhe ky gripkovid19, që dhe “coronavirus family” i thonë apo kurorë-virus, që vendosi në mes anktheve, edhe vulën e thatë, të Kurorës së të gjitha Pushteteve, mbi një kokë të vetme, duke e shpallur idhnakun mjekërbardhë e zemërzi, mbret fuqiplotë, që mundet pra, ta pshurrë Kënetën sa herë të dojë: Me consensus!
Kjo dhe është piktura e sotme, të tjerat janë llafe, për ta cilësuar kënetën dhe mbretërinë, ashtu sikundër nuk është. Sepse kryesorja në këtë Vend, është qarkullimi i llokmave dhe askurrë qarkullimi i elitave… /Nga Artur ZHEJI/