Pedagogia Majlinda Keta ka reaguar pas vendimit të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni i cili e ka shkarkuar si pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale.
Në vendimin e publikuar thuhej se pedagogia ka kryer një sërë shkeljesh që lidhen me masat e marra për periudhën e pandemisë së koronavirusit.
Por pedagogia Keta thekson se “Ky akt i Zotit Koni është një akt absolutisht i pavlefshëm dhe nuk sjell asnjë pasojë juridike”.
“Me këtë akt të paprecedent të një Rektori të një IAL Publike, por jo të tillë për Zotin Koni, ai i ka bërë një dëm të rëndë Arsimit të Lartë dhe imazhit të tij dhe ky veprim i tij, përvecse është i dënueshëm administrativisht, përbën në mënyrë flagrante shpërdorim detyre të funksionarit publik, me pasoja të rënda për institucionin dhe ne personalisht, të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, si dhe ka kryer vepër penale që prekin zgjedhjet e lira në një sistem demokratik, duke kanosur me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës si anëtar i Komisionit të autorizuar nga ligji per zgjedhjet në UT, parashikuar nga neni 325 të Kodit Penal”, theksohet në reagim.
Më tej argumentohet se:
1.Rektori i UT nuk mund të shkarkojë një institucion duke shkarkuar anëtarët e tij që nuk varen,por në të kundërt është i pavarur dhe që ka detyrimin ligjor për të zhvilluar zgjedhjet në UT si institucion.
2.Sipas ligjit për Arsimin e Lartë neni 68, pika 2 zgjidhja e menjëhershme e kontratës së punës nuk është kompentence eksluzive e Rektorit, por është kompetencë e Senatit Akademik i cili nëpërmjet kërkesës së Drejtuesit të njësisë bazë, ngre një komision Ad hoc, dhe vetëm atëherë kur ky komision propozon shkarkimin e personelit, Rektori zgjidh marrëdhënien e punës me UT.
Senati Akademik me Statutin miratuar me Urdhërin e Ministrisë MASR. nr.816, datë 26.12.2018 nënenin 76 të tij ka bërë rregullime në zbatim të ligjit duke përcaktuar në mënyrë të hollësishme këtë procedure të miratuar nga neni 68 i ligjit.