Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka bërë të ditur se është vendosur rihapja e procesit të pajisjes me karta identiteti dhe me pasaporta biometrike.
Në një prononcim Lleshaj ka bërë të ditur se aktualisht po shpërndahen pasaportat dhe kartat e ID të prodhuara më parë, ndërkohë që ka njoftuar se javën tjetër do të krijohet një aplikacion për qytetarët, me anë të të cilit do të mund të rezervojnë oraret për t’u paraqitur pranë zyrave të aplikimit.
Ministri i Brendshëm ka theksuar se qytetarët duhet të paraqiten vetëm brenda orareve, në këtë mënyrë do të mund të shmangen radhët dhe dyndjet.
“Ndërkohë që ka filluar aplikimi për karta ID dhe pasaporta të reja, aplikim i cili kryhet pranë zyrave të koncesionarit dhe pranë zyrave të Komisariateve të Policisë.
Dua të theksoj që për të evituar radhët dhe për të evituar mundësinë e infektimit me virusin COVID-19 është menduar që aplikimi të bëhet vetëm pas caktimit të orarit përkatës të kohës së paraqitjes së qytetarëve pranë zyrave të aplikimit.
Dhe për këtë, duke filluar nga java tjetër do të jetë në dispozicion një aplikacion, i cili u mundëson qytetarëve, të aplikojnë duke caktuar paraprakisht orarin e paraqitjes pranë zyrës përkatëse, në Komisariatin e Policisë apo pranë koncesionarit ku aplikohet për pasaporta”, thekson Lleshaj.