Siç është bërë e ditur, në qershor nxënësit e shkollave të mesme do të rikthehen për tre javë në bankat e shkollës në kuadër të përgatitjeve për provimet e Maturës Shtetërore. Në kushtet e pandemisë dhe të pranisë së virusit, është e rëndësishme që të dezinfektohen të gjitha ambjentet ku do të ketë prani të nxënësve.
Edhe pse deri tani Malësia e Madhe nuk ka raportuar asnjë rast me të sëmurë me virusin korona, Bashkia ka marrë masa për të nisur dezinfektimin e gjimnazeve në Malësi të Madhe. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Bashkia Malësi e Madhe, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook.
“Ka filluar sot dezinfektimi i Gjimnazeve në Malësi të Madhe. E nisëm në Gruemirë duke u mundësuar të gjithë maturantëve konsultime në ambjente të shëndetshme dhe të sigurta.
Këtë proces e ka ndjekur nga afër Nënkryetarja e Bashkisë Znj.Nertila Bajramaj, Administratori i Gruemirës Z.Ismet Sylja dhe Znj.Mirsada Vuçaj, Specialiste Arsimi dhe Shëndetësie.”, thuhet në këtë postim, i cili shoqërohet edhe me videon që mund ta ndiqni më poshtë.