Teatri Kombëtar u shemb! Pas më shumë se dy viteve rezistencë, duket se ra edhe kështjella e fundit në këtë vend. Këtë lajm e mësuan shqiptarët në orët e para të mëngjesit të sotëm. Atë që kryeministri i këtij vendin nuk e bëri dot për 27 muaj, e bëri kryetari i Bashkisë së Tiranës për 48 orë.
Teatri Kombëtar konsiderohej si “vijë e kuqe” që nuk duhej shkapërcyer nga qeveria. Këtë e shprehën hapur artistët që vijonin të rézistonin edhe mëngjesin e sotëm, e përforcoi opozita me qëndrime të unifikuara me zërin e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.
Madje, kjo e fundit u shoqërua në Komisariat bashkë me qendrestarët e fundit që donin të pengonin shembjen e ndërtesës.
Teatri Kombëtar u kthye në një kauzë të fortë publike. Ndryshe nga shumë kauza të tjera që mbase ndanin barabar opinionin, Teatri Kombëtar ishte dukshëm në disfavor të qeverisë.
Presidenti i Republikës, Kontrolli i Lartë i Shtetit, opozita e vërtetë, pjesa më e madhe e komunitetit të artistëve, mjaft deputetë u rreshtuan kundër shembjes së ndërtesës.
Jo vetëm kaq. Në Gjykatën Kushtetuese, Presidenti i Republikës ka depozituar edhe dy padi, njëra prej të cilëve për të penguar procesin e shembjes së Teatrit Kombëtar.
Asgjë nga këto nuk patën vlerë. Madje, kryeministri i këtij vendi nuk ngurron të publikojë videon me mesazhin “Tiranën nuk e ndalni dot”, në rastin më të mirë, një provokim i rëndë për mijëra shqiptarë.
Orët e para të ditës së sotme, treguan se i gjithë ky vend është në dorën e vetëm një individi: Kryeministrit! Orët e para të kësaj të diele, treguan se askush nuk është i sigurtë: Shtrihet përtokë e prangoset si krímínel analisti Alfred Lela dhe ish- deputetja Silva Caka.
Orët e para të kësaj të diele që përkon me një event politik të tre viteve më parë, treguan se: Ky vend po rreshqet me shpejtësi në kthetrat e demokraturës, në mos diktaturës!
Me të drejtë, sot çdokush pyet: Çfarë pritet të ndodhë më në këtë vend? A ka më ndonjë “vijë të kuqe”? A ka më kuptim ti përmbahemi masave të distancimit social në kuadër të pandemisë? A ka kuptim të vazhdojmë të ngujohemi, ndërsa qindra policë nuk i kapka korona virusi, edhe pse pa maska e doreza dhe bythë më bythë me njëri- tjetrin? A duhet të shqetësohemi më shumë për shëndetin e sotëm apo për demokracinë e së nesërmes?!
Sot nuk është momenti të heshtësh! Sot është momenti për tu rreshtuar? Ka vetëm dy anë: Përballë “shtetit” ose pas shpinës së tij! Presidenti i Republikës e ka quajtur sot “mafia në pushtet”! A ka mbetur ndonjë “vijë e kuqe” tjetër në këtë vend?!/Nga Blerti DELIJA/