Shoqata e Intelektualëve “Jakova” dhe Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, promovuan të shtunën në Gjakovë librin “Shtjellë letrare”, të autorit nga Shkodra, Zija Vukaj. Duke folur për përmbajtjen e këtij vëllimi letrar, autori Vukaj ka thënë se libri përmban një përmbledhje me studime letrare, me ese, recensione e të tjera.
Në anën tjetër, krijuesi Skënder Temali, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve në Shkodër ka folur për profilin krijues të autorit Vukaj, i cili sipas tij, me dekada ka punuar në heshtje dhe pa u dukur.
Duke folur për brendinë e librit “Shtjellë letrare”, profesori dhe krijuesi nga Gjakova, Muhamet Rogova, ka thënë se në këtë vepër, autori Vukaj, si një studiues dhe lexues i pasionuar jo vetëm i letërsisë shqipe por edhe asaj botërore, ka krijuar një bagazh historish për letërsinë dhe artin, të cilat më vonë janë pasqyruar në fushën e krijimtarisë dhe studimeve të tij.
Për veçorit dhe brendinë e këtij libri foli edhe Migena Arllati, kryetare e Lidhjes sё Poetёve, Shkrimtarёve dhe Artistёve “Pegasi”, ndërsa në emër të komunës ka përshëndetur Meriton Ferizi, drejtor komunal i kulturës që ka mbështetur këtë veprimtari letrare.
Ceremonia e promovimit të librit me titull “Shtjellë letrare”, ka përfunduar me shpalosjen e përshtypjeve nga të pranishmit./radiogjakova/