Siç ishte paralajmëruar, Këshilli Bashkiak zhvillon nesër (të premten) mbledhjen për Vllazninë. Në cilësinë e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqërisë Aksionare, Këshilli Bashkiak ka paralajmëruar shqyrtimin e dokumenteve të rëndësishme, të cilat praktikisht zgjidhin edhe problemin e pagesave të prapambetura tek Vllaznia.
Kështu, si pikë e dytë e rendit të ditës është pikërisht miratimi i buxhetit për vitin 2020 të Shoqërisë Aksionare KF Vllaznia sh.a. dhe pikë e tretë miratimi i pasqyrave financiare për vitin 2018 të Shoqërisë Aksionare KF Vllaznia sh.a.
Si pikë e parë e rendit të ditës, e cila mund të konsiderohet deri diku si surprizë, është zvoglimi i thjeshtuar i kapitalit financiar të KF Vllaznia sh.a. Që nga kalimi i saj në SHA shtetërore në administrim të Bashkisë, të gjitha fondet e akorduara janë konsideruar zmadhim i kapitalit. Sipas gjasave, Këshilli Bashkiak aktual nuk dëshiron të vazhdojë në këtë linjë prandaj ka menduar zvoglimin e kapitalit, duke i konsideruar humbje fondet e dhëna në vite.
Gjithsesi, për Vllazninë por edhe opinionin futbolldashës rëndësi kanë pika e dytë dhe e tretë e rendit të ditës. Nëse kryebashkiakja Ademi ka premtuar zgjidhje për të paktën një pagë para datës 3 qershor kur pritet të nis zyrtarisht Superliga (siç kanë pohuar vetë lojtarët të paktën), për vijimin duhet të kalojnë vendimet e nesërme të Këshillit Bashkiak Shkodër, pika 2 dhe 3 e rendit të ditës.
Mbledhja për Vllazninë shënon edhe rikthimin e tyre në sallën e zakonshme pasi më herët, për shkak të pandemisë, janë zhvilluar në format eletronik online. /ShkodraWeb Media/