Një operacion i gjerë antidrogë është zhvilluar nga policia italiane, ku të implikuar në trafik kanë qenë dhe disa shqiptarë. Gjatë aksionit, karabinierët kanë sekuestruar 15 kuintalë drogë dhe një sasi parash të rreme.
Në rrjetën e policisë kanë rënë disa trafikantë, ndër ta edhe një pjesëtar i familjes “Ngrageta”, 42-vjeçari Gino Pompeo. Policët e ekipit të hetimit kanë zbuluar se një grua dhe tre shqiptarë kishin fshehur një sasi marijuane dhe një numër kartëmonedhash të falsifikuara.
Sipas policisë, grupi kriminal i drogës vepronte që prej vitit 1990, ndërsa në pranga kanë rënë tre shqiptarët, dy vëllezër Anxhelo dhe Igli Malollari, dhe 31-vjeçari Eduart Korkaj, si dhe disa italianë.
Shqiptari Korkaj ishte përfshirë në një shkëmbim zjarri në Itali në vitin 2009, ku në atë kohë mbante emrin Isa, ndërsa pasi ishte kthyer në Shqipëri kishte ndryshuar emrin në Eduart.
Grupi kriminal e kryente aktivitetin në një apartament në Lanfranco della Pila, Niguarda, shtëpi e drejtuar nga një person i quajtur Colombo. Gjatë kontrollit policor, në banesë u gjetën armë dhe disa kuintalë marijuanë.