Për të gjithë miqtë që më pyesin se çfarë po ndodh me COVID, një sqarim paksa i gjatë, por shpresoj i dobishëm. Në fakt, po mundohem të përmbledh ato që kam thënë në disa intervista dhe postime të ditëve të fundit.
MESAZHI KRYESOR ËSHTË SE SOT SHQIPËRIA ËSHTË NË DORËN E VIRUSIT DHE SITUATA DO TË ECË ASHTU SI I DO QEJFI VIRUSIT!
MUND TË KEMI FASHITJE TË EPIDEMISË, POR MUND TË KEMI EDHE PËRHAPJE. PËRHAPJA MUND TË JETË E NGADALTË, POR MUND TË JETË EDHE E SHPEJTË.
NË KUSHTET QË JEMI ASKUSH NUK MUND TË PARASHIKOJË ME SAKTËSI SHKENCORE SE ÇFARË DO TË NDODHË NË DITËT APO JAVËT NË VAZHDIM.
Dhe ja përse:
ÇFARË NDODHI?
1. Qytetarët u tradhëtuan nga ata të cilëve u besuan shëndetin dhe jetën. Miliona njerëz ndenjën mbyllur në shtëpi tre muaj rresht duke dëmtuar në një shkallë të konsiderueshme shëndetin, ekonominë dhe jetën sociale. Unë dhe shumë specialistë të tjerë kemi javë të tëra që flasim dhe shkruajmë se kufizimet që po hiqen në qershor, duhet të ishin hequr shumë më herët. Sot kushdo e ka të qartë se për gati dy muaj është izoluar në mënyrë të panevojshme. Një popullatë që ndihet e tradhëtuar dhe nëpërkëmbur natyrisht që është refraktare ndaj këshillave që i jepen sot prej të njëjtëve persona që i keqtrajtuan tre muaj me radhë!
2. Nuk përfundon me kaq! Kufizimet e lëvizjeve në Shqipëri ishin unike në llojin e vet. Fashat orare ndryshoheshin pa asnjë logjikë dhe masat njoftoheshin sot për nesër, duke mos i lejuar njerëzve të planifikonin aktivitetin e përditshëm. Kategoritë të cilave u lejohej lëvizja po ashtu zgjidheshin pa asnjë logjikë. Të gjithëve na kujtohen nënat me fëmijë nën 10 vjeç, pastaj nën 14 vjeç, pastaj edhe nënat edhe baballarët me fëmijë nën 14 vjeç… Dhe këto masa njoftoheshin të premte për të shtunën në mëngjes. E trajtuar kësisoj, a mund t’i besojë më një popullatë “ekspertëve”??!!
3. Disa aspekte të masave mund të konsiderohen në kufijtë e papërgjegjshmërisë. Ndërkohë kur qytetarëve u ndalohej shëtitja në park dhe urdhëroheshin të mbylleshin në shtëpi në orën 17.30, lejohej puna në fasoneri dhe në call center pa u kujdesur aspak për masat mbrojtëse. Të gjithë jemi dëshmitarë se historia e COVID në 5-6 javët e fundit ka qënë historia e fasonëve dhe call center-ve dhe aspak historia e transmetimit të virusit në popullatë. Sakrifica në kufijtë e ekstremit e kryer nga të gjthë shqiptarët zhvleftësohej nga papërgjegjshmëria e atyre që duhet të kontrollonin disa dhjetra biznese!
4. Personeli mjeksor është lënë në mëshirë të fatit. Ata shohin sot të infektohen kolegët e tyre në QSUT! Aty ku ndodhet “tempulli” i mjeksisë shqiptare. Në se ky komitet (ku më shumë se gjysma e antarëve janë mjekë ose profesorë në QSUT) nuk mbron dot kolegët, nuk ofron dot maska dhe masa të tjera mbrojtëse për kolegët, nuk harton dot një rregullore pune për kolegët, nuk trajnon dot kolegët, etj., çfarë mund të bëjë për pjesën tjetër të sistemit??!! Çfarë mund të bëjë për qytetarin??!!
5. Të moshuarit dhe të sëmurët kronikë janë lënë në mëshirën e fatit (virusit). Dihet prej katër muajsh se ata janë pjesa më vulnerabël në këtë histori. COVID është rrezik për ta dhe jo për 20, 30 apo 40 vjeçarët e shëndetshëm. Madje edhe për 50 vjeçarët rreziku është i ulët! Problem janë personat mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike. Tre muaj izolim dilnin dhe tepronin që të hartoheshin dhe zbatoheshin masa inteligjente për të mbrojtur këtë grup personash që nuk është i vogël dhe vlerësohet në disa qindra mijëra. Asnjë masë për t’i mbrojtur ata në mënyrë specifike nuk është zbatuar deri tani.
SI PËRFUNDIM, SHQIPËRIA PO HAPET NDAJ COVID NË KUSHTET E NJË POPULLATE QË NUK I BESON MË “EKSPERTËT” E VET!
MBI TË GJITHA, TRE GRUPET E RISKUARA NDAJ COVID – TË MOSHUARIT, PERSONAT E PREKUR NGA SËMUNDJE KRONIKE DHE PERSONELI MJEKSOR – JANË LËNË TË PAMBROJTUR NDAJ VIRUSIT!
ÇFARË DO TË NDODHË MË TEJ?
Fatmirësisht, studimet nga vendet fqinje tregojnë se virusi po e humbet virulencën. Gjithashtu transmetimi i tij në kushtet e verës mesdhetare pritet të ngadalësohet.
PRA, RREZIKU QË SHQIPËRIA TË PËRBALLOHET ME KATASTROFA SI ATO QË NDODHËN NË KINË, ITALI APO NEW YORK ËSHTË JASHTËZAKONISHT I VOGËL.
Por virusi do të vazhdojë të jetë prezent dhe të të rrezikojë të moshuarit, të sëmurët dhe personelin mjeksor. Ata duhen mbrojtur me çdo kusht dhe çdo mënyrë, të paktën edhe për disa javë. Them për disa javë, pasi rënia e virulencës dhe shpejtësisë së përhapjes mund ta kthejë COVID në një “virus të zakonshëm” ndaj të cilit nuk ka nevojë të merren masa të jashtëzakonshme.
POR KËTË AKOMA NUK MUND TA THEMI ME SIGURI! ME KAQ SA DIMË SOT, INJORIMI I MASAVE MBROJTËSE ËSHTË I PAFALSHËM DHE DUHET KORRIGJUAR URGJENTISHT!
AS ITALIA, AS SPANJA, AS GJERMANIA, ASNJË NGA VENDET EUROPIANE, NUK PO HAPET PA RREGULLA ASHTU SIKUNDËR FATKEQËSISHT PO NDODH TEK NE.
NË SE DIKUSH I THOTË VETES “EKSPERT” DHE KA MARRË PËRSIPËR TË ULET NË KOMITETIN TANI TË FAMSHËM TË “EKSPERTËVE”, NUK DUHET TA ZËRË GJUMI DERI SA KËTO PROBLEME TË ZGJIDHEN!
ÇFARË DUHET TË BËJNË QYTETARËT?
Në kushtet kur as shteti dhe as “ekspertët” nuk e kanë vënë ujin në zjarr, përgjegjësia për të mbrojtur jetën dhe shëndetin mbetet individuale.
1. Higjiena e duarve, teshtitjes, kollitjes, si dhe mbajtja e maskave (sidomos në vende të mbyllura) duhet të vazhdojë.
2. Distancimi fizik në çdo mjedis të hapur apo të mbyllur duhet të vazhdojë.
3. Deri sa të mësojmë saktë se si sillet COVID në verë, mjekët, infermierët dhe pacientët duhet të mbajnë maskë gjatë gjithë kohës që ndërveprojnë me njëri-tjetrin, si në qendra shëndetësore, ashtu edhe në spitale.
4. Personat me moshë mbi 65 vjeç dhe ata të prekur nga sëmundje kronike, duhet të jenë shumë më të kujdesshëm në respektimin e këtyre masave. Madje edhe familjarët e tyre duhet të kenë kujdes të veçantë. Rreziku i një 30 vjeçari të prekur nga COVID është pothuajse zero, por kur ky 30 vjeçar infekton babanë apo gjyshin 70 apo 80 vjeçar, situata është totalisht e ndryshme. 80 vjeçari mund të sëmuret shumë më rëndë, madje edhe të humbasë jetën prej virusit.
PO VERA?
Çudia e fundit – ndalimi i larjes në det pas datës 1 qershor – duhet të anullohet urgjentisht. Ai është një urdhër i pakuptimtë dhe i pabazuar në ndonjë evidencë. Më tepër ngjan si tekë e komitetit që pasi torturoi tre muaj rresht qytetarët, kërkon të lerë akoma një gozhdë të fundit.
Vera duhet të shërbejë për të gjallëruar shëndetin, jetën sociale dhe ekonominë! Shpresojmë të vazhdojmë të marrim lajme të mira nga bota të cilat do të na mundësojnë të kalojmë një verë sa me afër normales!
Si gjithmonë! Ju lutem, kush dëshiron të bëjë debat sa për debat apo nuk është dakord me këto që kam shkruar, është i lirë të bëjë status në wall-in e vet. Ky komunikim është për miqtë e faqes. /Nga Erion DASHO, mjek/