Deputetja Rudina Hajdari, përfaqësuese e opozitës parlamentare në Këshillin Politik për reformën zgjedhore tha se palët kanë rënë dakord për identifikimin biometrik. Në një intervistë në emisionin “Opinion”, Hajdari tha se tashmë identifikimi biometrik do të kryhet në të gjithë vendin. Sipas Hajdarit, pika për të cilën nuk ka dakordësi mes palëve është ajo e administratës zgjedhore.
“Identifikimi biometrik do të bëhet në të gjithë vendin. Po, kanë rënë dakord. Ka patur dakordësi, ka patur zhvillime, palët kanë lëvizur. Administrata zgjedhore është një vçështje e rëndësishme dhe palët nuk kanë lëvizur”, u shpreh Hajdari.
Megjithatë, deputetja Hajdari, e cila cilëson çështjen e sistemit zgjedhor si më të rëndësishmen, tha se palët e shmangin këtë diskutim.
Sa i përket qëndrimit të partive të tjera, Hajdari tha se PS kërkon që çështja e sistemit të diskutohet në një fazë tjetër, Partia Demokratike eviton diskutimin ndërsa LSI nuk është shprehur fare.
“PS thotë ndoshta e diskutojmë në një fazë të dytë, PD nuk do ti bashkëngjitet këtij qëndrimi dhe e eviton si çështje kurse LSI nuk shprehet fare për këtë çështje. Unë kam dashur që nga ajo tryezë të dal me diçka dhe prandaj jam munduar ti bind me argumente dhe të çedoj në propozimin fillestar me sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, pastaj thashë hajde shikojmë listat e hapura pastaj hajde shikojmë sistemin danez që është mbështetur nga ambasada amerikane” – deklaroi Hajdari.
Çështja e sistemit zgjedhor nuk është pjesë e listës së rekomandimeve të OSBE/ODIHR por i është lënë palëve në dorë për të diskutuar një ndryshim të mundshëm.
Ndërsa mbledhja mes palëve pritet të mbahet nesër paradite, Hajdari tha se aktualisht nuk është më në tryezë, kërkesa e opozitës për qeveri kujdestare 100 ditë para zgjedhjeve.