Të gjithë ata që janë pronarë toke do të paguajnë taksë për ujitjen pa marrë parasysh nëse e përdorin këtë shërbim apo jo. Një dokument i qeverisë i publikuar në korrik të këtij viti nga Ministria e Bujqësisë për ujitjen dhe kullimin jep edhe detajet sesi do te funksionoje kjo skemë e cila synon të mbledhë paratë e nevojshme për funksionimin e strukturave të koordinimit dhe investimeve.
Në fakt edhe sot mblidhet një taksë vjetore për ujitjen veçse ligji sanksionon se atë e paguan zotëruesi i tokës por jo shtesa nëse ai e përdor apo jo këtë shërbim. Drejtoritë e Ujitjes dhe Kullimit së bashku me Njësitë e Ujitjes dhe Kullimit të bashkive dhe Organizatat e Përdorimit të Ujit -të takohen çdo fillim viti për hartimin e Planit të Shërbimit të Ujitjes, buxhetit dhe Tarifës së Shërbimit të Ujitjes. Më pas shkohet në këshillin bashkiak ku dhe kërkohet miratimi i buxhetit dhe tarifës.
Kur sistemi ujitës bëhet financiarisht i qëndrueshëm, bashkitë dhe Organizatat e Përdorimit të Ujit do të nxiten të krijojnë një fond rezervë, i cili mblidhet çdo vit dhe do të përdoret për mbulimin e kostove fikse të menaxhimit të sistemit ujitës.
Kostot kostot fikse për ujitjen (mirëmbajtje, zyra, staf) do të mblidhen nga bashkitë nga të gjithë pronarët e tokave brenda zonës së shërbimit të sistemit ujitës, pavarësish nëse ata zgjedhin të ujitin ose jo. Kostot variabël i ngarkohen vetëm fermerëve që kërkojnë ujitje dhe kjo duhet të bëhet sa më shumë të jetë e mundur, bazuar mbi sasinë e ujit të kërkuar dhe atë të dhënë.
Qeveria do të hartojë procedura të reja për pagesën dhe depozitimin si për tarifat fikse, e thënë ndryshe Tarifa Vjetore e Mirëmbajtjes (TVM), ashtu dhe për koston variabël apo ndryshe Tarifën e Shërbimit të Ujitjes (TSHU). Pagesa për TVM, e cila mbulon kostot fikse bazë, do bëhet si për taksat dhe tarifat e tjera të vendosura nga bashkia. Ajo do të vendoset mbi këdo që zotëron apo merr me qira një tokë, brenda zonës potenciale të shërbimit të të ujitjes.
Pagesat nga pronarët/qiramarrësit mund të bëhen direkt në zyrat e taksave në bashki ose nëpërmjet transfertave bankare. Përdorimi i fondeve do të bëhet duke qenë Njësia e Ujitjes dhe Kullimit e bashkisë si firmë e parë e autorizuar dhe OPU-ja si firmë e dytë. Pagesat për Shërbimin e Ujitjes do të kryhen 50% përpara sezonit të ujitjes dhe 50% në mes të sezonit të ujitjes./monitor/